Pence, “President” i Ballkanit?

E publikuar: 08/11/2017 19:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekspertë të njohur dhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë diskutuar mbi rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, tashmë që ndikimi rus në këtë rajon sa vjen edhe shtohet.

Në një tryezë të Këshillit të Marrëdhënieve me jashtë, ata ndanë mendimin se rryma të rrezikshme janë shfaqur në Ballkan, te cilat kërkojnë një angazhim më aktiv dhe më të dukshëm të Shteteve të Bashkuara për të mos lejuar zhbërjen e sukseseve të shënuara që nga ndalja e konflikteve të përgjakshme të viteve 1990, raporton TopChannel.

Me paralajmërime për rrezikun që paraqet ngecja e reformave, ambiciet gjeostrategjike ruse dhe penetrimi i islamizmit radikal, ata kërkuan qe Ballkani të trajtohet si një përparësi për politikën e jashtme amerikane.

Madje analisti Daniel Serwer, thotë se një Evropë e preokupuar me presione të brendshme në Bashkimin Evropian, e rënduar nga një krizë e gjatë ekonomike dhe nën presionin e rrymave të ekstremit të djathtë, nuk ka arritur të bëjë sa duhet për të ndihmuar Ballkanin në rrugën e reformave. Server propozon një angazhim të profilit të lartë në administratën amerikane.

“Propozoj që të ngarkohet zyrtarisht nënpresidenti amerikan, Mike Pence, me detyrën e portofolit ballkanik”, thotë Daniel Serwer, i cili paralajmëron se Amerika nuk mund të vazhdojë të ndjekë kursin aktual, pasi Rusia e ka bërë të qartë se ka ambicie për influencë në Ballkan dhe po mbështet rryma dhe individë që kërcënojnë paqen në rajon.

Serwer thotë se ka udhëheqës ballkanikë që financohen për të kërcënuar paqen, ndërsa flet me shqetësim edhe për mundësinë e ndërhyrjeve ruse në proceset zgjedhore në Ballkan.