Pelicans, prezantohet trajneri ri Gentry

E publikuar: 23/06/2015 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

New Orleans Pelicans është një nga skuadrat që ka në përbërje më shumë talente në NBA dhe me një trajner si Alvin Gentry skuadra nga Louisiana ka si synim kryesor të zhvillojë disa sezone të suksesshme në elitën e basketbollit amerikan.

60-vjecari nga Karolina e Veriut u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i Pelicans. Sezonin e fundit Gentry ishte pjesë e stafit teknik të skuadrës kampione Golden State Warriors, por tashmë ish tekniku i Phoenix do bëjë rolin e trajnerit të parë te New Orleans. Ylli i Pelicans, Anthony Davis do të jetë baza nga do të nisë projekti i Alvin Gentry me Pelicans, një gjë të tillë e bëri të ditur vetë 60-vjecari amerikan gjatë prezantimit të tij.

“Shoh fansat e Pelicans dhe rruga që ata më përcjellin për të ecur përpara është t’i bësh gjërat me entuziasëm. Unë do të bëj gjithcka për të ndihmuar skuadrën të arrijë rezultate sa më të mira. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e një skuadre si New Orleans. Ne kemi në ekip lojtarin më të mirë të NBA dhe ai nuk është Lebron James por Anthony Davis”.

Në karrierën e tij si trajner Alvin Gentry numron 335 fitore dhe 370 humbje gjatë sezonit të rregullt, ndërsa në fazën play-off bilanci i tij është pozitiv teksa regjistron 12 suksese dhe 9 disfata. Gjatë sezonit që sapo përfundoi si pjesë e stafit teknik të Golden State Warriors ai pa se si mori fund ëndrra e Pelicans për të avancuar më tej, me kampionët që e eliminuan skuadrën e tij të re me rezultatin e përgjithshëm 4-0 që në ruandin e parë të play-offit.