Pekini kundërshton tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin

E publikuar: 04/03/2018 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina ka shtuar zërin e saj në shqetësimet e ngritura nga shumë vende lidhur me tarifat që presidenti amerikan Donald Trump pritet të vendosë mbi importet e çelikut dhe aluminit më vonë këtë javë.

Duke folur në një konferencë shtypi para takimeve vjetore legjislative të Kinës, zëvendës ministri i Jashtëm Zhang Yesui siguroi se rritja e ekonomisë së dytë më të madhe në botë dhe një shtim i shpenzimeve ushtarake kineze nuk ishin shkak për alarm.

“Kina nuk do një luftë tregëtare me Shtetet e Bashkuara por nuk do të rrijë duarkryq në se dëmtohen interesat e saj.”

Zhang, një diplomat i lartë kinez dhe ish-ambasador në Shtetet e Bashkuara, tha se është në interes të të dyja palëve që të perceptojnë synimet strategjike të njëri-tjetrit në mënyrë objektive dhe të saktë dhe të mbajnë marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur.

“Marrëdhëniet tregëtare kino-amerikane bazohen në interesa të përbashkëta dhe në bashkëpunimin e favorshëm. Duke patur parasysh madhësinë e tregëtisë mes të dy vendeve, vitin e kaluar tregëtia mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kaloi 580 miliardë dollarë kështu që është e natyrshme të ekzistojë një lloj fërkimi”.

Zhang, i cili shërben edhe si zëdhënës i Kongresit Kombëtar, tha se rruga më e mirë për të përmirësuar tregëtinë është të happen edhe më shumë tregjet dhe të zgjerohet bashkëpunimi.

Megjithë garancitë, synimet strategjike të Kinës janë diçka që Uashingtoni dhe vende të tjera në rajon i vëzhgojnë nga afër.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi planet për rritjen e tarifave për importet e çelikut dhe të aluminit.

Kina është një vend i rëndësishëm që Uashingtoni synon të vërë në shënjestër me tarifat, por vendimi ka shkaktuar kundërshi edhe nga vende të tjera si Kanadaja dhe Evropa, të cilët po paralajmërojnë gjithashtu se do të marrin masa kundërvepruese.