Pejës nuk i ‘hyjnë në punë’ semaforët

E publikuar: 12/04/2015 18:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dëmtimeve të përsëritura të semaforëve të qytetit dhe muajve të tërë jashtë funksionit, Komuna e Pejës ka dhe një zgjidhje origjinale dhe përfundimtare të problemit. Sipas zyrtarëve të komunës, qyteti në fakt, nuk ka nevojë për semaforë.

Pjesa dërrmuese e rrugëve të Pejës nuk kanë semaforë, por dhe ata pak që ekzistojnë, prej disa muajsh janë jashtë funksionit.

KALLXO.com kishte raportuar disa herë për këtë problem, ndërsa autoritet komunale kishin premtuar zgjidhje të shpejtë. Ndonëse në fund të muajit janar u rregullua defekti i tyre, ky funksionim ishte jetëshkurtër, pasi që janë prishur sërish.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Pejë, Ukë Selimaj, tha për Kallxo.com në një bisedë telefonike se prishja e përsëritur e semaforëve mund të ketë ardhur nga ndërhyrja njerëzore.

“Semaforët pasi që janë rregulluar, janë dëmtuar përsëri. Po dyshojmë që shkaktar i kësaj prishje ka qenë dora e njeriut e cila ka prerë instalimi elektrik të tyre. Ketë rast do ta paraqesim edhe në Polici të Pejës dhe në bazë të kamerave të qytetit të vërtetohet kjo prishje”, u shpreh Drejtori i Shërbimeve Publike në Pejë.

Si rrjedhojë, komuna ka ardhur edhe me një ide që i jep fund një herë e përgjithmonë defekteve.

“Pasi që po ka prishje të shpeshta, jemi duke shqyrtuar të marrim një vendim rreth kësaj çështje. Ose do t’i riparojmë përsëri semaforët ose do i heqim krejt”, tha Selimaj.

Në këtë mënyrë, nëse semaforët hiqen, atëherë është e shumë e sigurt që ata nuk do të kenë defekte dhe nuk do shkaktojnë probleme për komunën.

Selimaj shpjegoi se semaforët e vetëm në Pejë nuk krijojnë ndonjë telash në komunikacion dhe për këtë arsye është e justifikuar që të hiqen krejtësisht.

Por, zëdhënësi i Policisë rajonale të Pejës, Xhevat Ibaraj, bëri të ditur përmes telefonit për Kallxo.com, se mosfunksionimi i semaforëve ka sjellë probleme për vozitësit dhe këmbësorët.

“Mos funksionimi i semaforëve në atë pjesë të qytetit, po shkakton ngarkesë më të madhe të komunikacionit për shkak të mungesës së respektimit të shenjave të trafikut”, tha Ibraj.