PE konfirmon mandatin për liberalizimin e vizave për Kosovën

E publikuar: 28/03/2019 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në muajin maj, shkruan Lajmi.net.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Evropian të bëjë punën e tij.

“Shumica kanë votuar në të mirë të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit Evropian të veprojë TANI”, është shprehur ajo.

Parlamenti Evropian ka diskutuar për këtë çështje të mërkurën mbrëma dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.

Fajon e ka thënë të mërkurën se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.