PDK: Tentim djegia e veturës së Grabovcit, akt kriminal

E publikuar: 01/03/2016 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës  e ka dënuar rastin e tentim djegjes së veturës së deputetit Adem Grabovci.

Sipas PDK-së ky rast është një veprim kriminal, që në vazhdën e sulmeve të ngjashme që po ndodhin ndaj zyrtarëve të shtetit të Kosovës, kanë për synim të krijojnë klimën e frikës dhe pasigurisë në shoqërinë kosovare.

 “Partia Demokratike e Kosovës konsideron se veprimet e tilla, qartësisht anarkiste dhe antidemokratike, janë duke cenuar vlerat themelore mbi të cilat bazohet shteti ynë, sikurse është sundimi i ligjit dhe vlerat morale mbi të cilat është e bazuar vet shoqëria jonë të tilla si paprekshmëria e familjes dhe pronës private”.

“Duke cenuar këto vlera morale, ideatorët e këtyre veprimeve po synojnë të bartin konfliktin politik nga institucionet në jetën familjare dhe qytetare”.

Partia Demokratike e Kosovës njëherit ka kërkuar  nga mekanizmat institucionalë të sigurisë që t’i zbardhin, sa më parë që është e mundur, autorët e këtyre veprimeve dhe t’i vënë ata para drejtësisë.