PDK synon vizat e pastaj ratifikimin e demarkacionit

E publikuar: 21/10/2016 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçica ka treguar synimet e këtij Komisioni, përkitazi me deklaratën për liberalizimin e vizave.

Ky Komision pritet të mblidhet sot në ora 15:00, për të vendosur për versionin përfundimtar të deklaratës e cila do t’i dërgohet Brukselit.

Ideja, sipas tij, për nxjerrjen e kësaj deklaratë ka qenë e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli!

Reçica, thotë se do të kërkojnë nga Brukseli zyrtar qe të ndodhë liberalizimi i vizave dhe pastaj gradualisht siç shprehet ai do të tejkalohen mosmarrëveshjet rreth demarkacionit.

“Deklarata e përbashkët nuk nënkupton se duhet ndryshohen qëndrimet të asnjërës palë as pozitës dhe as opozitës. Por, besoj është e nevojshme qe në të dërgojmë sinjale pozitive në Bruksel dhe në qendra tjera se ne bashkëpunojmë pozitë dhe opozitë dhe jemi të interesuar qe të ndodhë liberalizimi.

Qe malin e Zi e shohim si shtet fqinjë dhe si shtet miqësor dhe sovraniteti i Malit të Zi nuk vjen në shprehje të rrezikohet prej Kosovës. Normal qe kemi kërkuar një çështje qe edhe BE ta ketë parasysh situatën në të cilën ndodhemi. Le të ndodhë liberalizimi dhe gradualisht sigurisht se do t’i tejkalojmë mos marrëveshjet rreth demarkacionit”, ka thënë Reçica për ‘Indeksonline’.

Reçica, i cili është edhe zëvendësshef i Grupit Parlamentar të PDK-së, shprehet optimist se deputetët e partive do të merren vesh për tekstin e kësaj deklaratë. Më këtë iniciative, ai beson se do të përfitonin më së shumti qytetarët e Kosovës.

“Faza e dytë pas nënshkrimit të marrëveshjes është të krijojmë grupe apo komunitete të përbëra nga pozita dhe opozita për të lobuar në qendra të vendimmarrjes dhe të sqarojmë e të garantojmë se liberalizimi nuk do të keqpërdoret nga qytetarët tanë”, ka përfunduar Reçica./Indeksonline/