PDK: Qeveria Hoti dështoi me sigurinë në vend, situata në duart e gangsterëve

E publikuar: 20/12/2020 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas grabitjeve të fundit me armë, duke thënë se degradimi në raport me menaxhimin e sigurisë në vend filloi me ish qeverinë Kurti e po vazhdon me intensitet nga kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër kukull.

Po ashtu, u tha se ky kryeministër anemik në dukje, e tepër arrogant në veprime, duhet menjëherë ta ndërprejnë mentalitetin primitiv të përndjekjeve dhe të shkarkimeve pa kurrfarë kriteri

Deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu, në një konferencë për media, ka thënë se PDK po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit të sigurisë në vend, pasi brenda tri dite u raportuan vjedhje, grabitje, plaçkitje dhe sulme me armë.

Sipas saj, për PDK-në, kjo është situatë me tendencë përkeqësimit të mëtejshëm të sigurisë në vend dhe e bën përgjegjëse drejtpërdrejt qeverinë Hoti e cila e ka një qasje joserioze karshi situatës.

“Nëse vazhdon ky trend i përditshëm i sulmeve dhe vjedhjeve ndaj bankave dhe bizneseve të vendit, Kosova do të hyjë në një cikël të rrezikshëm të pasigurisë dhe të mbylljes së bizneseve. Askush nuk do të ketë më interesim e as guxim të investojë në Kosovë, nëse nuk ka siguri për jetën, pronën dhe pasurinë e tij. Vendi jonë, dekadën e tretë të pasluftës po e fillon duke u përballur me sfida të mëdha. Një nga këto sfida është edhe çështja e sigurisë në vend. Degradimi në raport me menaxhimin e këtij sektori filloi me ish qeverinë Kurti e po vazhdon me intensitet nga kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër kukull. Vendi jonë çdo ditë është duke rrëshqitur në një rrugë të rrezikshme të pasigurisë, veçmas është krijuar pasiguri e madhe, kur jemi në prag të festave të fundvitit”, tha ajo.

Musliu shtoi se shkarkimi i zyrtarëve profesionist nga udhëheqja e institucioneve të pavarura e kredibile, dhe mungesa e një plani se çfarë do të veprohet konkretisht në situata dhe rrethana te caktuara, ka krijuar vakum institucional dhe mungesë të autoritetit përkatës shtetëror.

“Të vetmin plan që shihet që e ka ky kryeministër dhe partia e tij LDK-ja, është që i ka kapur tani të gjitha institucionet kryesore në vend, dhe po vendosë aty njerëz partiak, të padijshëm dhe jo profesional. Vendi jonë duke kaluar në një krizë të rëndë ekonomike është shnëdrruar në një arenë vjedhjesh dhe grabitjesh të rrezikshme. Raportimet e dy ditëve te fundit, apo thënë me qartë komplet javës që lam pas, janë shqetësim që siguria e vendit po kalon në duart e gangsterëve. Qeveria Hoti është duke bërë përpjekje maksimale që të fshihet mbrapa një sjellje viktimizuese…..Kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër anemik në dukje, e tepër arrogant në veprime, duhet menjëherë ta ndërprejnë mentalitetin primitiv të përndjekjeve dhe të shkarkimeve pa kurrfarë kriteri”, tha ajo.

Ajo tha se Qeveria të vetmin qëllim e ka që nesër ta fajësojë dikë tjetër edhe për dështimet në fushën e sigurisë. Mirëpo përgjegjësia, sipas saj, i takon kësaj qeverie.

“PDK kërkon nga qeveria Hoti që me urgjencë të nderprejë këtë mënyrë të të bërit politike dhe t’i mbaj larg duart nga institucionet vitale dhe të pavarura të shtetit. PDK kërkon që urgjentisht të dilet me një plan konkret dhe të ndalet degradimi dhe abuzimi me sistemin e sigurisë në vend. Partia Demokratike e Kosovës ia kujton Qeverisë Hoti se institucionet shtetërore te sigurisë nuk janë asete partiake dhe nuk guxojmë t’i mbyllim sytë e të lejojmë të shkatërrohet investimi me vite shtetit të Kosovës dhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, tha ai.

Musliu në fund tha se degradimi në organet e sigurisë po ndodhë çdo ditë duke larguar ekspert e profesionist e në vend të tyre po vendosen persona të paaftë e jo kompetent, të cilët atribut të vetëm e kanë dëgjueshmërinë ndaj shefit të qeverisë dhe të partisë që ai i takon.