PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses – dy qeveritë e 6 tetorit prodhuan mashtrim e zhgënjim

E publikuar: 22/12/2020 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.

Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore, thuhet në reagim.

Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke përkujtuar se që nga 6 tetori i vitit të kaluar, ‘shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake’.

Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se “koalicioni i shpresës” që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit.

Në zgjedhjet që duhet të mbahen sa më parë, Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe do të garojë me program dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur partitë që kanë qeverisur vendin nga zgjedhjet e fundit, përfundon reagimi i PDK-së.