PDK-ja s’ka përgjigje ndaj rezistencës së Haradinajt për taksën

E publikuar: 11/03/2019 07:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nyjës rreth taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk i është dhënë zgjidhje as pas vizitës së nënsekretarit amerikan, David Hale.

Kërkesa për pezullimin e kësaj mase, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut, ka dominuar takimin e së shtunës mes amerikanit dhe udhëheqësve institucionalë. Rritja e presionit ndërkombëtar për pezullimin e taksës vetëm sa ka thelluar përçarjen mes partnerëve të koalicionit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Haradinaj e Veseli vazhdojnë të shihen bashkë vetëm në takime me ndërkombëtarët, ku temë kryesore është taksa.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vazhdon të trumbetojë deklarativisht se nuk do të lejojë rrezikimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, të cilat kanë arritur pikën më të ulët. Por janë mbushur më shumë se një muaj qëkur Veseli kishte dalë me propozimin e tij për pezullimin e taksës për 120 ditë, pas takimit të zhvilluar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett.