PDK-ja me seli të uzurpuara

E publikuar: 10/03/2016 09:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është futur në listën e uzurpatorëve të pronave shoqërore të publikuara ditë më parë nga menaxhmenti aktual i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Në lista shihet se PDK-ja klasifikohet si uzurpator i objektit ku ndodhet selia e kësaj partie në qendër të Prishtinës, selia e degës në Gjakovë dhe asaj në Deçan.

Menjëherë pas luftës në tri pronat shoqërore, në Prishtinë, Gjakovë e Deçan u vendos nga një fotografi e madhe e Hashim Thaçit, për t’u zbuluar vetëm pas 17 viteve se partia e cila po udhëheq shtetin u vendos dhunshëm në ato zyrë.

Cak i parë ishte uzurpimi i zyrave të NSH “Drithnaja” në qendër të Prishtinës, ku dhe u vendos selia e PDK-së. Pas dhjetë viteve uzurpim, zyrat u privatizuan në mënyrë të dyshimtë. AKP-ja ka bërë publike se objekti ku ndodhet selia qendrore e PDK-së është privatizuar nga Burim Marmullaku, në vlerë prej 371.111.00 euro.

Pavarësisht konfirmimit për pagesën e qindra mijëra eurove për blerjen e zyrave që gjenden mbi lokalet e Odës Ekonomike të Kosovës, në Sheshin “Nënë Tereza”, shitja e këtij objekti ka ngritur shumë pikëpyetje.

Pjesa e objektit ku janë zyrat e PDK-së kanë qenë pronë e ndërmarrjes shoqërore “Ndërmarrja e Re Drithnaja Zyrat”.