PDK-ja e Gjilani do të kandidojë me Zenun Pajazitin!

E publikuar: 20/08/2017 02:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse, është thënë se PDK të martën do të bëjë publike kandidaturat për kryetar komune, duke se për Gjilanit tani më është punë e kryer dhe se kryetari aktual i Degës së PDK-së, Zenun Pajaziti, njëherësh deputet i Parlamentit të Kosovës, do të hyjë në garë për të parin e Komunës së Gjilanit.

Kësaj i prinë zhvillimet që ndodhen gjatë ditës së shtunë në PDK-në e Gjilanit, por edhe në qendër. Ndonëse zyrtarë të PDK-së, kishin deklaruar se Grupi Punues i Degës s PDK-së (i autorizuar nga kryesia e Degës për përpilimin e listës me kandidatë për Këshilltarë dhe kandidatin për kryetar), kishte marrë vendim për kandidatin në fjalë, që do t’ia prezantonin qendrës si propozim të degës, megjithatë nuk bëhej publik ky emër, pasi pritej se çfarë do të vendoste qendra, përkatësisht lideri i PDK-së Kadri Veseli, që mund të dilte me një emër tjetër nga ai i propozuari i Degës.

Madje sot, shefi shtabit të PDK-së së Gjilanit, Riad Rashiti kishte konfirmuar se Dega e PDK-së së Gjilanit kishte marrë qëndrim për emrin e kandidatit për kryetar të Komunës, të cilin do t’ia dërgonin qendrës për nominim, rreth të cilit emër kishte unanimitet, por pa e bërë publike, se cili ishte ai emër.

Portali 2LONLINE, ka mësuar se dakordinim i Degës ishte vetëm për një emër, atë të kryetarit aktual të Degës, Zenun Pajaziti.

Por, 2LONLINE mëson se me komunikimin e të preferuarit të degës, ishte paraparë edhe një vërejtje, që nëse qendra do të vendoste ndryshe, atëherë do ta mbante përgjegjësinë për mbarëvajtje e procesit zgjedhor si dhe rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo, për faktin se megjithatë qarkullonte informacioni se Qendra veçse ishte përcaktuar për një emër tjetër, e që nuk ishte ai i Pajazitit. E, në orët e vona, mësohet se me kërkesë të liderit të PDK-së Kadri Veselit, drejtë Prishtinës kishin shkuar përfaqësuesit e Degës së Gjilanit, për të diskutuar për këtë çështje, ku duket se janë dakorduar përfundimisht që nominimi i degës të respektohet nga qendra dhe Zenun Pajaziti të jetë kandidati me të cilin PDK-ja do të garojë për kreun e Gjilanit.

Pritet që Veseli tani ta bëjë edhe zyrtarisht publike këtë kandidaturë, nëse në ndërkohë (deri të martën), nuk do të ndodh ndonjë ndryshim i befasishëm.

Ndryshe, kujtojmë se në Gjilan, deri më tani, dy subjekte tjera kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre në garën për kryetar komune, ku LDK do të garojë me Lutfi Hazirin, e Vetëvendosje me Sami Kurteshin, e tani edhe me kandidaturën e PDK-së, Zenun Pajazitin, mund të pritet vërtetë një garë interesante.