PDK e quan AAK-në partiçkë, thotë se Haradinaj degradoi shtetin e Kosovës

E publikuar: 31/08/2019 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka nisur të ashpërsohet gjuha e partive politike në parafushatë për zgjedhjet e 6 tetorit. Dega e PDK-së në Fushë Kosovë e ka quajtur AAK-në partiçkë, teksa ka thënë se ish-partneri në qeverisjen e shkuar po bën mashtrim në këtë komunë për vende pune e favore.

Në një reagim zyrtar, PDK-ja në Fushë Kosovë ka thënë se AAK-ja e ka konsumuar pushtetin dyvjeçar për punësime të familjarëve e militantëve partiakë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke orkestruar një mashtrim ndaj qytetarëve të Fushë Kosovës, gjoja për vende pune e favore. Ky mashtrim i AAK-së në prag të fushatës zgjedhore është duke dështuar, pasi edhe qytetarët nuk besojnë në premtime të tilla të rrejshme. Kjo partiçkë e cila pushtetin dy vjeçar e ka konsumuar duke punësuar familjarë e militantë partiakë me kontrata mbi vepër në dikasteret ku ka udhëhequr, nuk ka krijuar vende pune për qytetarët sikurse as për përkrahësit e vet në Fushë Kosovë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Kjo degë e PDK-së ka thënë tutje se “AAK-ja nuk mund të abuzojë më tutje me postet publike, ngase po vjen qeverisja me kryeministër Kadri Veselin, e cila do të krijojë mundësi e shanse të barabarta për të gjithë qytetarët, përmes luftës ndaj korrupsionit e nepotizmit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe perspektivës për të rinjtë”.

“Për më tepër, Dega e AAK-së në Fushë Kosovë ka dy vite që është jashtë funksionit”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka thënë po ashtu se ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka degraduar shtetin e Kosovës me qeverisjen e tij.

“PDK në Fushë Kosovë beson se qytetarët nuk do të bien pre e premtimeve të rrejshme të partiçkës së AAK-së, ngase epoka e punësimeve familjare të AAK-së ka përfunduar me dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Ramush Haradinajt, i cili e degradoi shtetin e Kosovës. Ata besojnë në vlera dhe në platforma që rrisin mirëqenien e përgjithshme. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe këtë vullnet do ta dëshmojnë më datën 6 tetor, duke votuar për Partinë Demokratike të Kosovës”, përfundon komunikata e PDK-së në Fushë Kosovë.

Termi partiçkë ka nisur të shpeshtohet në parafushatë. Më 21 korrik, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kishte quajtur partiçkë, PSD-në teksa kishte kujtuar se disa deputetë kishin lënë VV-në për të kaluar në këtë parti.