PDK akuzon LVV për shpenzime enorme në dreka zyrtare

E publikuar: 15/07/2020 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj ka akuzuar qeverisjen aktuale të Komunës së Prizrenit të Lëvizjes Vetëvendosje për shpenzime enorme për dreka zyrtare, udhëtime jashtë vendit, mëditje e shpenzime të tjera komunale.

Totaj, në një konferencë për media, tha se qeverisje aktuale po e degradon çdo sferë të jetës në Prizren.

Totaj: Shpenzimet e PDK krahasuar me të VV janë minimale

Video

“Në çdo lëmi të jetës publike vetëm degradime kemi parë. Asokohe kritikohej fare pa të drejtë ish-kryetari Ramadan Muja për shpenzimet e komunës të cilat krahasuar me shpenzimet që po ndodhin tani pasi në pushtet ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë minimale…. shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit në vitin 2017 kur ka qenë në pushtet PDK-ja i kemi pasur 882 euro, ndërsa në vitin 2018 kur ka ardhur në pushtet Vetëvendosje i kemi afër 20 mijë euro për udhëtime jashtë vendit që në përqindje është rritje 1900 për qind. Në vitin 2019 kemi hala më shumë rritje 21 mijë e 320 euro”, tha ai.

Totaj tha se qeverisja komunale e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për mëditje jashtë vendit ka shpenzuar 800% më shumë mjete sesa qeverisja e PDK-së e cila gjatë qeverisjes së saj për mëditje jashtë vendit tha se ka shpenzuar 1821 euro.

Kurse qeverisja aktuale në vitin 2018 ka shpenzuar 16 mijë e 500 euro, kurse në vitin 2019 janë harxhuar 16 mijë e 400 euro për mëditje jashtë vendit.

I pari i PDK-së në Prizren tha se shpenzime enorme ka pasur edhe në shpenzimet telefonike ku krahasuar me shifrat e qeverisjes nga PDK-ja tani qeveria aktuale për vitin 2018-2019 ka rritur shpenzimet për 50 për qind.

Totaj tha se për këto dy vite qeverisje Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shpenzime të mëdha edhe për karburante, mirëmbajtje të automjeteve dhe drekave zyrtare.

Totaj: Kemi rritje enorme të shpenzimeve

Video

“Karburante për vetura nga 39 mijë e 247 në 73 mijë e 954 dhe 69 mijë e 221. Rritje afër 100 për qind. Mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve shpenzimet e rritura nga 27 mijë euro në 67 mijë euro dhe në vitin 2019 në 96 mijë euro. Mirëmbajtja e mobileve dhe pajisje nga 9 mijë në 38 mijë euro dhe në 43 mijë euro në vitin 2019 që është rritje diku 400 për qind… tani Vetëvendosje e cila ka kritikuar në mënyrë shumë arrogante shpenzimet minimale në atë kohë kemi një rritje prej 550 për qind të shpenzimeve për drekat zyrtare nga vlera 6957 euro kemi vlerën prej 38 mijë euro në vitin 2018, dhe 48 mijë euro në vitin 2019”, tha ai.

Për akomodim qeverisja lokale aktuale e Prizrenit në vitin 2018 ka shpenzuar mbi 7 mijë euro dhe në vitin 2019 mbi 9700 euro. Vlera e këtyre shpenzimeve në vitin 2017 sa ishte në qeverisje PDK, Totaj tha se ishte zero.

Kreu i PDK-së në Prizren tha se krahas rritjes së shpenzimeve në këto dy vitet e fundit ka suficit buxhetor prej 6 milionë e 300 mijë.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj tha qeverisja lokale e Prizrenit e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar edhe na menaxhim të pandemisë COVID19, por edhe në shumë sektorë të tjerë. /B.Ibishi/