PD: Referencat ndaj ‘97, dëshpërim i kryeministrit Rama

E publikuar: 22/04/2017 20:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratës së PS lidhur me protestat e opozitës, duke hedhur poshtë akuzat se po përpiqet të përsërisë vitin ’97 dhe për rrjedhojë të nxjerrë vendin nga binarët e integrimit.

“Partia Demokratike dhe opozita kanë 64 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha veprimet e saj kanë qënë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike”, thuhet në reagimin e PD.

Partia Demokratike nënvizon se, opozita nuk ka nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë.

“Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë. Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile”, deklaron PD.

Partia më e madhe e opozitës shprehet se, “referencat e Edi Ramës ndaj 1997-s janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit”.

“Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-s Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97 që po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar”, vijon reagimi i selisë blu.

PD nënvizon se, protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që sipas saj Edi Rama ka sjellë në pushtet.

“Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, shton PD./tch/