PD-PS i kthehen konsensusit. SPAK votohet javën e ardhshme

E publikuar: 30/09/2016 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sherri për mbetjet nuk pengon palët politike të miratojnë me konsensus ligjin e ri për SPAK, Njësinë Antikorrupsion. Partia Demokratike u kthye në Komisionin parlamentar të reformës dhe deklaroi votën e saj pro ligjit javën e ardhshme.

Varianti final dhe i dakordësuar i njërit prej ligjeve më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, ai për SPAK, rregullon funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave speciale, përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

“Projektligjet janë gati për seancën plenare të ditës së enjte”, u shpreh Vasilika Hysi.

Miratimi me konsensus i ligjit me bashkautorësi amerikane ktheu në Komisioni edhe opozitën.

“Mund të themi që është një sukses i madh për luftën kundër korrupsionit”, tha Oerd Bylykbashi.

Dy javë më parë opozita ngriti shqetësimin se ligji i jepte mundësi qeverisë të ndikonte apo kontrollonte emërimin e gjyqtarëve, prokuroreve apo punonjësve të SPAK-ut. Një nen që, sipas opozitës, binte ndesh me kushtetutën.

“Antikushtetutshmëri që çonin drejt kapjes të këtyre instrumenteve të rëndësishëm të luftës antikorrupsion nga qeveria, ku Edi Rama do të caktonte organet e hetimit dhe të gjykimit që do të gjykonin kryeministrin dhe ministrat e tij”, u shpreh Bylykbashi.

Çështja është zgjidhur duke e hequr nga ligji rolin e inspektoratit të pasurive dhe drejtorinë qeveritare që bën kontrollin e figurës së anëtarëve të SPAK-ut.

Kjo përgjegjësi i është lënë një strukture të posaçme që zgjidhet me short nga Gjykata Speciale, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme.

Ligji për SPAK-un është i vetmi që do të kalojë me konsensus në 6 tetor nga paketa e 6 ligjeve bazë për reformën në drejtësi.

/ Top Channel