Pazar politik rreth bordeve të ndërmarrjeve

E publikuar: 27/04/2015 18:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Afër pesë muaj që nga formimi i institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk kanë arritur ende që të kompletojnë bordet e disa ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, e quajnë të pa arsyeshme zvarritjen e emërtimit të anëtarëve të bordit në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se vonesën e emërimit të drejtorëve të këtyre bordeve është duke e shkaktuar pazari politik i cili është duke u bërë ndërmjet partive në pushtet.

“Kemi pazarllëk partiak, e i cili pazarllëk partiak nuk jep kualitet apo profesionalizëm për këto borde, por jep mundësi për rehabilitim të njerëzve të partive, të cilët nuk janë profesional dhe për rrjedhojë, kemi pastaj politika jo të mira të privatizimit dhe nuk kemi politika që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit”, shton Zogaj.

Mos kompletimi i ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, sipas përfaqësuesve të shoqatave ekonomike është duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në të bërit biznes në vend.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se kompletimi i bordeve në ndërmarrjet publike është një ndër sfidat kryesore që duhet të përmbushen sa më shpejtë që është e mundur.

“Një dështim i kompletimit të këtyre bordeve është duke reflektuar në performancën e ndërmarrjeve publike si dhe në shumë vendime që janë të rëndësisë së veçantë”.

“Në veçanti bordet më akute që duhet të përshpejtohen për tu kompletuar është bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ai i Minierave dhe Mineraleve. Në mungesë të kompletimit të këtyre bordeve, sot edhe Trepça punon pa licencë, Ferronikeli punon pa licencë. Në rast të dështimit të këtyre ndërmarrjeve pasojat janë të mëdha”, thekson Gërxhaliu.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte deklaruar, se gjatë muajit prill do të kompletohet bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por që një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thekson se këto borde duhet të depolitizohen.

Në të kaluarën, kujton Gërxhaliu “këto agjencione kanë pasur një konotacion më tepër të natyrës politike sesa ato ekonomike dhe të ekspertizës shkencore”.

“Është koha kur duhet të ndryshohet kjo qasje karshi kompletimit të këtyre bordeve. Nuk jemi kundër përfaqësimeve nga instancat politike apo institucionale, por besoj që është kohë kur duhet të kemi sa më shumë ekspertizë shkencore dhe të jetë i përfaqësuar komuniteti i biznesit. Kërkojmë këtë nisur nga fakti se duhet të avancohet dialogu dhe partneriteti publiko – privat”, shton Gërxhaliu.

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, Bordi i drejtorëve të një ndërmarrjeje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti jo shumicë. Drejtorët zgjidhen nga Qeveria dhe shkojnë në miratim në Kuvendin e Kosovës, raporton rel.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.