Paysera i ofron tregut kosovar me karta pagese transferime të lira ose falas

E publikuar: 21/07/2020 21:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania prestigjioze evropiane Paysera, e cila është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës për të ofruar shërbime të pagesave lokale dhe ndërkombëtare për klientët kosovarë, ka shpalosur modelin për ndërtimin e rrjetit të pagesave digjitale në Kosovë, lehtësimet, kostot si dhe infrastrukturën teknologjike.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, i cili tha se deri më tani kanë aprovuar tri licenca të cilat adresojnë çështjet e teknologjisë financiare në sistemin e pagesave apo edhe në emetimin e parave elektronike.

Ai po ashtu tha se sa i përket industrisë financiare, Kosova ka rregullativ të përafërt me vendet e Bashkimit Evropian, por që mbetet ende punë për të avancuar sistemin e pagesave online.

“BQK-ja që nga aprovimi i këtyre rregulloreve ka pranuar një numër të aplikacioneve të disa produkteve të natyrës Thin Tek për të cilat jemi të kënaqur me trendin e kërkesës përkundër situatës me pandemi dhe deri më tani kemi aprovuar tri licenca të cilat adresojnë çështjet e teknologjisë financiare në sistemin e pagesave apo edhe në emetimin e parave elektronike. Rregullativa në Kosovës është e ngjashme me ato të BE-së që adresojnë këtë fushë. E gjithë rregullative e industrisë financiare në Kosovë është e përafërt me BE-në. Tani me këtë trend dhe me zhvillimin e teknologjisë, sigurisht se edhe sistemi i pagesave do të avancohen gradualisht dhe do të kemi një avancim dhe që BQK-ja është e gatshme ta trajtojë prej pikëpamjes së licencimit”, tha ai.

Pavarësisht përvojës 20 vjeçare, ai tha se BQK-ja duhet të avancojë kapacitetet e saj për mbikëqyrje të aktiviteteve financiare në vend.

Ndërsa nëndrejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Behar Xhema, tha se synimi i tyre mbetet përforcimi i partneritetit publiko-privat.

Ai foli edhe për rolin që ka kjo Njësi në fushën e sistemit financiar në vend.

“Një prej synimeve kryesore që ne kemi dhe e cila është direkt e lidhur me Samitin e Londrës dhe procesit të Berlinit nga zotimet e qeverisë së Kosovës është edhe përforcimi i partneritetit publiko-privat. Kjo është arsyeja përveç të tjerave që ne jemi këtu për të shpjeguar rolin dhe funksionin njësisë për inteligjencë financiare. Shërben si institucion qendror kombëtar përgjegjës për pranimin, analizimin dhe shpërndarjen e intelegjencës financiare në lidhje me shpëlarjen e parave dhe terrorizmit, duke përfshirë këtu edhe veprat e ndryshme penale. Një institucion i cili në fakt është themeluar në vitin 2004 në mandatin e UNMIK-ut”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i Paysera-s në Kosovë, Bashkim Zeqiri, tha se ky institucion financiar do të ju mundësojë qytetarëve të Kosovës të realizojnë transfere për sistemin e pagesës SEPA pa pagesë, pasi që po sjellin normat evropiane në Kosovë.

“Kjo është mundësi për qytetarët e Kosovës që me qenë më afër sistemit të pagesave dhe shërbimeve në tregun Evropian. Do të jetë kjo përparësia që do të ofrojë Paysera në këtë rast, e cila ofron shërbime të larta të avancuara me kosto shumë të ultë ose edhe pa kosto në këtë rast. Paysera në këtë kohë të pandemisë do ta ketë fokusin kryesor në ndërtimin e mbledhjes së pagesave për ndërmarrjet që operojnë me icomerce. Po ashtu përparësia e të qenit institucion financiar në BE dhe në Kosovë njëherësh, do të ju mundësojë qytetarëve të Kosovës të realizojnë transfere për sistemin e pagesës SEPA pa pagesë”, tha ai.

Mirëpo, qytetarët e Kosovës nuk janë shumë të interesuar për blerje online.

Genta Brestovci nga Qednra Tregtare onlin – EBAA, e cila posedon rreth 50 mijë artikuj të ndryshëm ushqimor dhe jo-ushqimor, tha se qytetarëve ende u mungon besimi për blerje me kartel.

“Në treg jemi qe 1 vjet dhe kemi funksionuar me kesh dhe kartelë bankare. Përmes kartelës bankare Visa dhe Master Card, ofrojmë përmes platformës të Raiffaisen-it. Mirëpo është një përqindje e vogël e klientëve që bëjnë blerje përmes kartelës bankare, diku 18 për qind është për Kosovë, kjo ndoshta për shkak të mosbesimit ndaj kartelës bankare, pasi që disa mendojnë se u shfaqet të dhënat konfidenciale edhe pse informatat nuk ruhen asnjëherë në EBA”, tha ajo.

Qytetarët dhe bizneset e Kosovës tani paguajnë 25 euro për një transfer të parave në vendet e BE-së, por kjo do të ndryshojë.

Nuk do t’ju kushtojë më qytetarëve të dërgojnë para brenda vendit dhe në vendet e BE-së përmes bankingut dhe aplikacionit në internet “Paysera”, ndërsa tarifa për bizneset do të kushtojë vetëm 1 euro.

Paysera do t’i ofrojë tregut kosovar me karta pagese, transferime të lira ose falas përmes aplikacionit, pagesa në internet, pagesa përmes telefonit me anë të “Google Pay” ose “Samsung Pay” e së shpejti edhe në “Apple Pay”.

Banorët e Kosovës tashmë mund ta shkarkojnë aplikacionin e “Paysera” në telefonin e tyre nga Google Play dhe App Store, por ata nuk do të mund të përfitojnë plotësisht nga institucioni i parave elektronike deri në fund të vitit 2020./kp/