Pasuria e fshehtë e liderëve botërore

E publikuar: 11/11/2017 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një hulumtim i afro 100 mediumeve botërore i njohur si “Paradise Papers” apo Letrat e Parajsës, kanë publikuar 13.4 milionë dosje të shërbimeve të dy kompanive “offshore”, më anë të të cilave njerëz të fuqishëm dhe shumë të pasur fshehin pasuritë e tyre për të shmangur taksat.

Sipas dosjeve të publikuar, Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilburn Ross, ka pasuri në një firmë “offshore” që është e lidhur me kompaninë e kontrolluar nga bashkëpunëtorët e presidentit rus, Vladimir Putin.

Po ashtu dokumentet sjellin fakte rreth investimeve të Rusisë në rrjetet sociale, Facebook dhe Twitter, përmes bashkëpunëtorëve të Jared Kushnerit, dhëndër i presidentit amerikan, Donald Trump, që shërben edhe si këshilltar i lartë i tij.

Konsorciumi për Gazetari Hulumtuese (ICIJ) me bazë në Shtetet e Bashkuara, ka publikuar më 5 nëntor dosje në të cilat janë përmendur emrat e njohur nga politika, të famshmëve, dhe bota e biznesit, përfshirë Mbretëreshën Elizabetë II, e cila ka 13 milionë dollarë investime në kompani sekrete jashtë Britanisë së Madhe.

Sipas raportimeve të BBC-së, edhe udhëheqësi i mbledhjes së fondeve për partinë e kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, ka lidhje me skemën e kompanive “offshore”, që mund t’i ketë mënjanuar miliona dollarë taksa nga Kanadaja.

Kompanitë “offshore” ofrojnë shërbime për kompani dhe biznese të ndryshme, për të maskuar pronësinë ose informacione të tjera rreth rrjedhës së fondeve të kompanive. Përmes këtyre kompanive lehtësohet procesi i pastrimit të parave ose evazionit fiskal.

Dosjet e “Paradise Papers”, ofrojnë informata për dy kompani “offshore”, në ishujt Bermude, me 19 të ashtuquajtura parajsa fiskale.

Hulumtimi është bërë nga e përditshmja gjermane, Sueddeutsche në bashkëpunim me BBC, Neë York Times dhe disa agjenci të tjera të lajmeve që analizuan dhe hulumtuan informatat.

Dokumentet janë publikuar në disa mediume për shkak të numrit të madh të informatave të përfshihen në këtë hulumtim.

Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilburn Ross

Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilburn Ross, 79 vjeçar, investitor miliarder, zotëron përqindje të madhe në kompaninë “Navigator Holdings”, kompani sekrete që transporton benzinë për firmën ruse të energjisë, Sibur.

Kompania Sibur, është në bashkëpronësi të Gennady Timchenko, shok i presidentit rus Vladimir Putin, dhe dhëndrit të Putinit, Kirill Shamalov, raporton Neë York Times.

Aksionet e Rossit në këtë firmë janë zvogëluar kur ai mori detyrën në shkurt, megjithatë sipas dokumenteve të Qeverisë amerikane, pasuria e tij në kompani është në vlerë prej 2 deri në 10 milionë dollarësh.

Sipas New York Times, aksionet e sekretarit Ross në kompaninë Navigator, janë mbajtur nga një rrjet kompleks i kompanive në ishujt Kajman.

Zëdhënësi i departamentit të Tregtisë, James Rockas, ka thënë se Ross “nuk ishte i përfshirë në vendimit e kompanisë Navigator për të bashkëpunuar me kompaninë ‘offshore’, Sibur në ishujt Kajman”.

Trembëdhjetë milionë dollarët e Mbretëreshës Elizabeta II

Sipas dosjeve “Paradise Papers”, miliona dollarë nga pasuria private e Mbretëreshës Elizabeta II, janë investuar në kompani në ishujt Kajman dhe Bermuda.

Pasuria e Mbretëreshës është investuar në kompani “offshore” përmes Dukës së Lancaster.

Dosjet “Paradise” ofrojnë detaje se si Duka i ka investuar paratë, në kompanitë komplekse në ishujt jashtë Britanisë së Madhe.

Sipas analistëve, Mbretëresha mund të përballet me kritika për investime e saja në kompanitë “offshore”, edhe pse deri më tani asnjë veprim nuk është zbuluar të jetë joligjor.

Jared Kushner dhe ndikimi rus

Dy institucione shtetërore ruse të lidhura me presidenti rus Vladimir Putin, kanë financuar rrjetet sociale Facebook dhe Twitter përmes një bashkëpunëtori biznesor të Jared Kushner, zbulojnë dosjet e projektit “Paradise”.

Sipas The Guardian, investimet janë bërë përmes një biznesmeni të pasur rus, Yuri Milner, i cili ka përqindje në kompaninë e Jared Kushnerit.

Ky hulumtim, do të rrisë shqetësimet rreth ndikimit rus në politikën e SHBA-së dhe rolit të rrjeteve sociale në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Konsorciumi për Gazetari Hulumtuese (ICIJ), kishte publikuar po ashtu skandalin e madh të “Panama Papers”, në vitin 2016, dokumente që hetuan një firmë ligjore në Panama, duke publikuar informata të kompanive sekrete të disa liderëve botërorë dhe personave të pasur.