Pasuria deri në miliona euro e kryetarëve të komunave

E publikuar: 03/06/2015 11:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derisa Kosova ka mbi 100 zyrtarë të lartë shtetërorë që kanë deklaruar pasuri milionëshe, në mesin e tyre ka edhe kryetarë komunash. Madje, një pjesë e tyre ka edhe pasuri marramendëse.
Por, ka nga ata që kanë deklaruar pasuri vetëm dyshifrore. Njëri nga ta është kryetari i pavarur i Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili edhe njihet si kryetari më kursimtar i komunave në Kosovë.
Ashtu po del të jetë edhe në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Në bazë të deklarimeve, Suma del të jetë mjaft i varfër. Kreu i Hanit të Elezit ka deklaruar shtëpinë e tij prej 160 metrave katrorë në vlerë prej 50 mijë eurove e që këtë shtëpi, në bazë të asaj që e ka deklaruar Suma, e ka të trashëguar. Ndërsa, para të gatshme Rufki Suma ka deklaruar se ka 538 euro.
Në anën tjetër, ashtu edhe sikurse të gjithë të tjerët ai ka deklaruar edhe të hyrat vjetore. Këto të hyra kapin shumën prej 20 mijë e 164 eurove. Suma pagën vjeore si kryetar i Komunës, në bazë të deklarimeve, e ka 21 mijë e 328 euro, e po ashtu merr edhe një pension të familjes së dëshmorit në shumë prej 421 euro në muaj, apo 5058 euro në vit.
Ai po ashtu ka nën përkujdesje një vajzë të dëshmorit, ku në cdo muaj për këtë vajzë merr 23.5 euro apo 282 euro gjatë vitit. Kryetari i Hanit të Elezit, merr edhe një pension të TMK-së, 208 euro në muaj, apo 2496 euro në vit.
Për dallim nga Suma, kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 405 mijë e 800 euro. Sfarqa ka shkruar se ka shtëpi prej 214 metrash katrorë në vlerë monterare prej 200 mijë euro e ndërtuar në vitin 2012.
I pari i Ferizajt ka deklaruar se merr pagë vjetore në vlerë prej 16 mijë e 300 euro.
Pasuri të paluajtshme prej 350 mijë euro, ka deklaruar edhe kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota. Ai ka deklaruar se ka një shtëpi prej 200 metrash katror e ndërtuar në vitin 1980, me vlerë prej 100 mijë euro. I pari i Klinës ka deklaruar se ka edhe banesë familjare, tokë 2 hektarë dhe truall prej 0.70 hektar. Ai po ashtu ka paraqitur edhe rreth 18 mijë euro para të gatshme.
Edhe kryetari i një komune të vogël e ndër më të varfrat në Kosovë, nuk del të jetë vetë i varfër. Ragip Begaj nga Nisma për Kosovën, ka deklaruar se ka pasur të paluajtshme në vlerë rreth 270 mijë euro, shtëpi në vlerë 80 mijë euro, tokë bujqësore 5000 metra katror dhe pyje e male rreth 10000 metra katror.
Ndër më të pasurit nga kryetarët e komunave është edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili ka deklaruar se ka një pasuri të paluajtshme në vlerë prej 2 milion e 415 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka dy shtëpi me 460 metra katror, të cilave ua ka lënë vlerën rreth 1 milion euro. (Zëri)