Pasqyra e thyer e Ben Blushit

E publikuar: 29/04/2015 22:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Roland Lami

Ditët e fundit, kritikat e adresuara ndaj PS nga ana e deputetit Ben Blushi kanë tërhequr vëmendjen jo pak të mediave, sidomos atyre të pozicionuar pranë së djathtës. Ajo çfarë bie në sy qoftë në komentet brenda PS por edhe jashtë saj në lidhje me kritikat dhe pyetjet që adreson deputeti në fjalë, është fakti se shpenzohet më shumë kohë për të kuptuar kontekstin sesa vërtetësinë e akuzave që adresohen ndaj lidershipit të PS.

Mirëpo, e parë kështu, nuk mendoj se është gabim, pasi në politikë, shpjegimi i kontekstit ku ngrihen kritikat përgjithësisht të ndihmon më shumë për të kuptuar vërtetësinë e akuzave dhe jo e kundërta. Me këtë logjikë, në këtë shkrim po tentoj të nxjerr në pah edhe unë disa nga problemet që nxjerr konteksti ku po zhvillohet debati i ditëve të fundit.

Së pari, nga reagimet e disa eksponentëve të PS ndaj kritikave të Blushit bien në sy arsyetime të gabuara logjike që, ndryshe në logjikë formale quhen argumenta ad hominem. Çka do të thotë se kritikët e Blushit nuk merren me vlefshmërinë e argumenteve të tij, por me vetë personin që i ka paraqitur ato.

Pjesa dërrmuese e tyre njihen ndryshe si të besuarit e kryeministrit, të cilët njohin si të vetmen formë për të bërë karrierë, marrjen e rolit të kamikazit sa herë që i prishet rehatia kryeministrit. Parimi: sa më absurd sulmi ndaj kritikëve të kryeministrit, aq më e sigurt ngritja në karrierë politike, është konsoliduar si traditë te partitë politike shqiptare. Ky është një zakon që ruhet me shumë fanatizëm brenda jetës së partive politike.

Së dyti, konkurrenca brenda llojit vazhdon të shikohet si herezi. Pra, nuk i lejohet askujt që të kritikojë performancën e lidershipit për sa kohë është në drejtim ky i fundit. Çdo kritik ndaj tij trajtohet jo si shërbim që i bëhet atij dhe PS, por opozitës, aq më shumë në kushtet e një situate parazgjedhore.

Mirëpo, në krahun tjetër, fakti që Rama ka zgjedhur si strategji të përfshijë sa më shumë parti në koalicionin e majtë ndërkohë që kjo forcë politike me gjysmën e partive që ka sot në koalicion, krijoi një diferencë në vota prej rreth 1.000.000, lexohet më shumë si frikë e një rrjedhjeje të mundshme të votave të PS për shkak të një performance jo të mirë të saj në 18 muaj qeverisje, sesa bujari për të ndarë pushtet me parti të tjera.

Pikërisht, këtë strategji të Ramës, deputeti Blushi e shikon si përgjegjësi të liderit të PS dhe si manovër për të mbuluar rezultatin e dobët të PS me rezultatin pozitiv të koalicionit në përgjithësi. Mirëpo, një pjesë e deputetëve të PS nuk shqetësohen për një rezultat të dobët të PS krahasuar me 2013, por pse Blushi kritikon Ramën dhe ajo që është më e rëndësishme, pse shfrytëzon këtë moment jo të mire të kësaj force politike për të shprehur ambicien e tij politike.

Po pse, cilin moment duhet të presë një konkurrent, sipas jush? Pikërisht kur ai, me intuitë ose të dhëna të siguruara nga terreni, ka informacion se kuotat e rivalit të tij janë në ulje dhe beson që me qëndrimet e tij mund ta dobësojë akoma më shumë. Kjo është politika.

Së treti, duke i qëndruar simbolikës që përdor Blushi në shkrimin e tij, asaj të pasqyrës, po huazoj kuptimin që përfaqësuesit e ndërveprimit simbolik i japin pasqyrës. Blushi nëpërmjet metaforës së pasqyrës kërkon të na thotë që te PS është thyer pasqyra, pasi shumë deputetë nuk iu pëlqen pamja që pasqyron ajo.

Mirëpo, sipas përfaqësuesve të ndërveprimit simbolik, ajo që ne shohim në pasqyrë nuk është vetja jonë, por imazhi që të tjerët preferojnë të shohin te ne. E shprehur ndryshe, në pasqyrë personi nuk shikon veten, por atë që do të dëshironin të tjerët të shikonin te personi që është përball pasqyrës. Pra, deputetët e PS nuk kanë thyer pasqyrën, por thjesht kanë tentuar të ndryshojnë shijet e çdokujt që preferon të shihet në pasqyrë.

Kështu që Blushit i ofrohen tri alternativa: ose impono pamjen duke ndryshuar pritshmëritë e të tjerëve brenda PS, ose përshtatu me imazhin që të tjerët brenda PS presin të shohin tek ty, rrugë tjetër nuk ka. Mirëpo, referuar sjelljeve të mëparshëm të Blushit, ky i fundit ka preferuar më shumë variantin e dytë sesa të parin. A është ky momenti që Blushi të na befasojë? Të presim.

Së katërti, fakti që Blushi zgjedh median për t’i bërë të ditur kryeministrit Rama se çfarë mendon për performancën e tij qeverisëse dhe ky i fundit po me anë të medias i kthen përgjigje, lë të kuptohet se biseda mes tyre ka përfunduar dhe komunikimi tashmë është me publikun. Në këto kushte, Blushi dhe Rama vendosin t’i besojnë gjykimit të publikut mbi vërtetësinë ose jo të kritikave, pasi me njëri-tjetrin nuk kanë çfarë të diskutojnë më.

Në këto kushte, është publik që mund t’i japë të drejtën Blushit të pretendojë kreun e kësaj force politike ose do ta shtyjë drejt  krijimit të një force të re politike për sa kohë mendimet e tij nuk materializohen nga lidershipi aktual ose nuk i jepet mundësia atij vetë t’i zbatojë te forca aktuale politike, ose mund t’i japë të drejtë Ramës që të marrë çdo hap që ia lejon statuti i partisë për sa kohë rezultati pozitiv në zgjedhje legjitimon pozicionin e tij në krye të PS.

Së pesti, qarkullon teza nga një pjesë e kritikëve të Blushit se, meqë ky i fundit ka mbrojtur programin e PS në fushatë, nuk ka arsye që ta kritikojë atë. Mirëpo, Blushi në këtë rast po merret kryesisht me mosrealizimin e këtij programi dhe jo shumë me mënyrën sesi u hartua dhe u prezantua ai në periudhën e fushatës zgjedhore.

Në këtë kontekst, Blushi ka të drejtë si çdokush tjetër brenda PS të kërkojë arsyet e mosrealizimit dhe njëkohësisht të japë zgjidhjet sesi mund të dilet nga kjo situatë. Kjo konkurrencë brenda partisë i bën mirë jo vetëm lidershipit, por dhe përfaqësimit politik. Një nga vlerat e demokracisë është frika se nuk je i domosdoshëm në një institucion. Sa më shumë të investojmë për ta konsoliduar këtë kulturë, aq më mirë i bën sistemit dhe cilësisë së performancës.