Pasi u tha se e rrahu motrën, Qumilli kërkoi përjashtimin e publikut nga seanca

E publikuar: 19/07/2018 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sevdai Radogoshi, i akuzuar për veprën penale të rrahjes, sot ka dalë para Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Radogoshi i njohur si ‘Qumili’, po akuzohet nga Prokuroria për rrahje ndaj motrës së tij Floranta Radogoshi, shkruan kallxo.com.

Në fillim të seancës Radogoshi i kërkoi gjykatësit përjashtimin e publikut nga salla, me arsyetimin se rasti i tij ka të bëjë me çështje familjare se dhe ai është figurë publike.

“Unë nuk kam dëshirë të kem publik në sallë, kush është ky publik që nuk e njoh unë, unë kërkoj nga gjykata që të përjashtohen nga gjykimi gazetarët e rrjeteve sociale, sepse po shkruajnë “shkarravina”. Është çështje familjare, andaj kërkoj që të përjashtohet publiku, sepse unë jam figurë publike dhe pasi që të mbaron i gjithë rasti unë vet do i thërras gazetaret”, deklaroi ai.

Ndërsa e dëmtuara Floranta në lidhje me kërkesën e të akuzuarit deklaroj “nëse është ligjërisht e lejueshme, mua nuk më pengon askush, gjykata vendos”.

Pas kësaj gjyqtari mori aktvendim që të përjashtohet i gjithë publiku, me arsyetimin se çështja është familjare.

Sipas aktakuzës në maj të vitit 2016, pas një fjalosjeje në mes tyre, duke i kërkuar që e dëmtuara ta lirojë shtëpinë, i akuzuari dyshohet se i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës dhe për një moment përdor forcë ndaj saj, duke e goditur me grushte dhe shuplaka në kokë dhe më pas e tërheq për hunde.

Me këto veprime i akuzuari Sevdai Radogoshi, dyshohet ka kryer veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.