Pasi e neutralizoi Neymarin në fushë, Behrami tregon duelin me brazilianin: Bije gjithmonë në tokë, por ky është stili im

E publikuar: 18/06/2018 13:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Zvicrës ka bërë një befasi të madhe duke e ndalur në barazim 1-1 fuqinë e futbollit botëror Brazilin.

Zvicra me katër shqiptarë në formacion shkëlqeu me lojë të mençur, ku më të dalluarit ishin futbollistët tanë si Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Blerim Xhemaili.

Fuqia e ekipit kombëtar të Brazilit padyshim që është super talenti i tyre Neymar JR, por që mbrëmë u neutralizua totalisht nga ylli i Kosovës, Valon Behrami.

Behrami ishte ndër më të mirët në fushë dhe për gjatë 70 minutave para se të zëvendësohej.

Ai fitoi thuajse çdo duel me Neymarin i cili gjithmonë ankohej për lëndim.

“Unë thjesht jam përpjekur ta bëjë lojën time. Nëse gjyqtari mendon se po përpiqem t’ia vështirësoj lojën Neymarit ose ta lëndojë ai vërshëllen”, tha Behrami për Blick.

Ylli nga Kosova foli edhe për ankesat e mëdha të Neymarit gjatë gjithë ndeshjes pasi nuk mundte dot ta kalonte.

Valon Behrami duke qeshur me simulimet e Neymarit (Getty Images)

“Neymar gjithmonë provokon. Ai gjithmonë është në tokë, nëse e prekni pak për të duket diçka e madhe”.

“Kjo është shumë e keqe nga ana e tij pasi është një futbollist i madh, njëri nga më të mirët që jam përballur”, ka thënë Behrami.

33-vjeçari tha se jo gjithmonë lëndohet kundërshtari nëse preket pak.

“Jo gjithmonë lëndohet kundërshtari nëse e prekni. Ky është stili im i lojës, është mentaliteti im. Neymar ka një tjetër mentalitet po kjo është në rregull”.

Behrami dhe Neymar (Getty Images)

Krejt në fund mesfushori i Udineses tha se ishte një rezultat i mirë për ekipin e tij, ndërsa tha se u lëndua për tu zëvendësuar pastaj.

“Ishte një rezultat i mirë i marrë ndaj Brazilit,një barazim që do të na kryejë punë”.

“Ndjeva dhimbje dhe kjo ka qenë arsyeja që u largova nga loja”, përfundoi Behrami.

Mitrovicasi tha se për ndeshjen e ardhshme ndaj Serbisë do të bëjë çmos që të jetë në fushë. /Telegrafi/