Pas vërejtjeve nga BE-ja, Qeveria rishqyrton Projektligjin për pagat

E publikuar: 30/08/2018 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Javën që vjen, Projektligji për Pagat do të shkojë në qeveri për miratim, por me disa ndryshime. Këto ndryshime janë iniciuar vetëm pas vërejtjeve të shumta që ka dhënë Zyra e BE-së, për shkak të implikimeve buxhetore, raporton KTV.

BE-ja kishte kërkuar që të bëhet një vlerësim mbi ndikimin fiskal të këtij projektligji. Bashkë me këtë projektligj nga rendi i ditës, qeveria kishte tërhequr edhe dy projektligje tjera që lidhen me administratën publike. Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se ky projektligj duhet të ndryshohet, në mënyrë që të mos ketë ndonjë paqartësi.

Qëllimi i këtij ndryshimi është që të ketë një sistem standard të pagave. Zyra e BE-së, në përgjigjen e saj, thotë se i mbështet përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta reformuar administratën publike dhe tri ligjet që lidhen me administratën publike janë shumë të rëndësishme për ta çuar përpara këtë reformë. Ndryshe edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur qëndrimin e saj se Projektligji për Pagat do të rrisë ngarkesën mbi arkën e shtetit dhe si i tillë rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore. Oda Amerikane beson fuqishëm se aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale do të kishte implikime të konsiderueshme buxhetore, duke zvogëluar në të njëjtën kohë mjetet buxhetore për investime kapitale, që janë tejet të rëndësishme për fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.