Pas telasheve, PDK-ja në Skenderaj zgjedh Sami Lushtakun për kryetar dege

E publikuar: 21/04/2019 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një proces që s’ka shkuar pa telashe, që nga fillimi, ai ka thënë të ketë marrë besimin e mbi 90 për qind të anëtarësisë. E ka dhënë kumtin në profilin e tij në Facebook, e ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve.

“Faleminderit delegatëve në Kuvendin e Degës për besimin me mbi 90% të votave, që edhe për një mandat të jem Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj. Do të jem kryetar i të gjithëve!”, ka shkruar shkurt Lushtaku.

Më 16 prill, Lushtaku kishte shpallur kandidaturën për të mbajtur fronin e të parit në bastionin e PDK-së, e ku nuk udhëheqë me Komunën, meqë në zgjedhjet e kaluara lokale atje kishte garuar si i pavarur Bekim Hamëz Jashari, e PDK-ja nuk kishte vënë fare kandidat.

“Duke u bazuar në rregulloren për zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës; Duke falënderuar të gjithë qytetarët për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme; Duke parë vullnetin e anëtarësisë së PDK-së në Skenderaj; Duke shprehur besimin për të vazhduar së punuari në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim; sot, zyrtarisht, pranë komisionit kompetent, paraqita kandidaturën time për Kryetar të Degës së PDK-së në Skenderaj”, kishte shkruar Lushtaku më 16 prill.

Por dy ditë para kësaj, më 14 prill, Koha.net kishte raportuar për përleshje fizike në PDK-në e Skenderajt.

Përplasjet janë shënuar midis grupit të Sami Lushtakut dhe atij të Nuredin Lushtakut që e mbështet kryetarin e komunës, Bekim Jashari.

Sipas burimeve, përleshja fizike ka ndodhur gjatë një tubimi të organizuar me synimin për t’i zhvilluar zgjedhjet në seksionin e Klinës së Epërme. Pas saj, procesi zgjedhor është ndërprerë.

Në incidentin e Kuvendit të PDK-së, në Klinë të Epërme, ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku ka qenë protagonist kryesor. KTV-ja kishte mësuar nga burimet e afërta me ngjarjen se Lushtaku, e kishte kërcënuar delegatin Murat Mecini për prishjen e Kuvendit.

Ai i ka thënë Mecinit se do ta “tërhiqte zvarrë”, sipas vetë denoncimit që ky i fundit e ka bërë në Stacionin Policor të Skënderajt.

I kontaktuar nga “Kohavisioni”, Mecini kishte thënë se nuk dëshiron të komentojë asgjë, dhe ka sugjeruar që të mos kontaktohet më. Ai është pjesë e krahut të Bekim Jasharit e Bekim Haxhiut, që është në konflikt të vazhdueshëm me krahun e Sami Lushtakut.

Për shkak të incidentit, Policia e Kosovës qe interesuar që ta intervistojë Lushtakun, dhe ia ka lënë ftesën në shtëpi, sepse nuk e ka gjetur aty.

Tensione në degën e PDK-së në Skenderaj ka pasur që prej kohës kur kjo parti vendosi të mos dalë me kandidat për kryetar komune, por e përkrahu kandidaturën e Bekim Jasharit.