Pas publikimit të parë, një “selam” i erdhi në shtëpi: Rrëfimi për Roberto Saviano, gazetarin që “sfidoi” mafian përmes librave (Foto)

E publikuar: 29/05/2019 01:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari italian Roberto Saviano, është shembulli më i mirë se si gazetaria me raste mund të jetë një profesion i rrezikshëm. Në vitin 2006, qysh si 26-vjeçar, Saviano kishte publikuar librin “Gomorra” e cila ka zbuluar organizatën famëkeqe kriminale Gomorra me seli në Napoli të Italisë.

Libri i tij fitoi vëmendje në gjithë botën, por jo edhe tek anëtarët e këtij grupi mafioz. Shumë shpejt filluan t’i arrijnë mesazhe kërcënuese (me vdekje), dhe për këtë arsye është nën mbrojtje të vazhdueshme të policisë, transmeton Telegrafi.

Edhe përkundër kërcënimeve të shumta, ai ka vazhduar të flasë kundër krimit të organizuar dhe problemeve tjera të jetës moderne. Gomorra është themeluar qysh në shekullin e 17-të dhe asokohe udhëhiqte me Napolin, qytet ky ku Saviano ka lindur në vitin 1979.

Klani Kasalesi udhëhiqte me periferinë e Napolit ku edhe Saviano është rritur, në atë zonë kontrabanda me lëndë narkotike, armë dhe njerëz ishte diçka që ky gazetar shihte pothuajse çdo ditë.

Trupin e parë të pajetë e kishte parë kur ishte vetëm 13 vjeç derisa po shkonte në shkollë. Disa ditë më vonë, babai i tij që me profesion është mjek, e kishte mësuar të gjuaj me revole. Madje në një rast babanë e tij e kishin rrahur gangsterët, pasi ishte munduar ta shërojë viktimën e mafias.

Ajo çfarë i kishte bërë më së shumti përshtypje Savianos, ishte vrasja e Juiseppe “Pepina” Diana. Pas kësaj vrasje qëndronin mafiozët, të cilët ai shpesh i kritikonte në bisedat e tij dhe i cilësonte si “njerëz që po terrorizojnë të tjerët”. Atë e kishin qëlluar në vitin 1994 në kishë, derisa po bëhej gati për meshë.

“Kjo vrasje më ka ndryshuar përgjithmonë”, ka deklaruar ai në një intervistë.

E pas diplomimit filloi të punojë si fotograf dhe shpesh fotografonte dasmat e anëtarëve të Gomorra. Shpejt arriti t’i afrohet mafiozëve dhe organizatës së tyre. Dhe kur kuptoi se çfarë në të vërtetë ndodh mbeti i shokuar – jo vetëm që e kontrollojnë Napolin, por edhe që arkëtojnë miliona me kontrabandim, reketim dhe punë tjera të kundërligjshme.

E libri “Gomorra” arriti të bëhet një libër shumë i kërkuar, duke shitur kështu mbi 10 milionë ekzemplarë në gjithë botën. Kështu edhe përfundoi në listën e të kërkuarve nga mafiozët.

“Pak ditë pas botimit të librit, në kutinë postare të nënës time erdhi një zarf me fotografinë time dhe revolen në kokë me mbishkrimin, i dënuar”, ka shtuar ai.

E në një mbrëmje gala gjatë vitit 2006 kishte zbuluar emrat e disa anëtarëve të mafias, ku si rezultat policët e pritën para hyrjes së ndërtesës ku po zhvillohej eventi për ta përcjell në stacionin e policisë me veturë të blinduar.

“I pyeta sa do të zgjasë, më thanë katër ditë”, ka shtuar Saviano, duke mos e ditur se do të jetë nën mbrojtje të plotë edhe pas 13 viteve.

“Po të kisha shitur 10 mijë ekzemplarë të librit nuk do të ishte ndonjë problem. Nuk është njëjtë sikurse në rastin e Iranit dhe Afganistanit. Gomorra nuk mundohet të ndalë shkrimet apo storiet, por ata i brengos fakti që shumë njerëz dëgjojnë për ata dhe lexojnë për të bëmat e tyre”, ka shtuar Saviano për The Guardian.

Kështu u detyrua ta braktisë shtëpinë e tij, familjarët dhe miqtë. E ëma dhe vëllai morën identitet dhe shtëpi të reja.

“Gjatë tetë viteve të fundit kudo që udhëtojë pas vetes kam shtatë truproja të trajnuar dhe dy vetura të blinduara. Jetojë në barakat e policisë apo edhe në dhoma anonime të hoteleve, kurse rrallë herë i kalojë mbi shtatë ditë në të njëjtin vend”, kishte shkruar ai në një ese të publikuar në The Guardian në vitin 2015.

Pas pesë viteve, më 2011 u vendos në Nju Jork ku shpresoi se do të bëjë një jetë paksa më normale. Por, atij vazhdonte t’i rrezikohej jeta, dhe derisa jepte mësim në fakultetin e Nju Jorkut u kërkoi studentëve të mos flasin asgjë për të, dhe se ligjëratat e tij mbaheshin në fshehtësi. Kurse libri i tij shërbeu për realizimin e filmit me të njëjtin titull që fitoi çmim në festivalin e Kanës.

Në vitin 2013 publikoi librin e dytë hulumtues “Zero Zero Zero” që flet për tregtinë e kokainës. Ai famën që e ka fituar e sheh si arritje e jo si rrezik, dhe pretendon se lexuesit janë “mbrojtja nga kërcënimet e armatosura”. E pasi që nuk arritën ta “heqin qafe”, Gomorra është munduar ta diskreditoj si shkrimtar. Kjo ishte faza e tyre e dytë, ku sipas tij shpesh flasin se si ai është gënjeshtar dhe njeri që preferon plagjiaturën. Megjithatë ai thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet, dhe zotohet se do të vazhdojë me punën e tij. /Telegrafi/