Pas një pushimi dy javor, Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë rinisur punën

E publikuar: 19/08/2017 19:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas një pushimi dyjavor, Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë rinisur punën. Pushimi veror ishte miratuar për të gjithë punonjësit e Gjykatës në kohën e njëjtë, derisa puna më e madhe pritet të nisë në shtator dhe gjatë vjeshtës, kur mund të bëhen publike aktakuzat e para.

Dhomat e Specializuara për Kosovën i janë kthyer punës.Pas një pauze dyjavore, Gjykata ka rinisur punën në Hagë.

Vendimi ishte marrë më 7 korrik, sipas të cilit, e gjithë gjykata kishte shfrytëzuar pushimin veror në të njëjtën kohë.

“Periudha e pushimit veror të Dhomave të Specializuara të Kosovës zgjati nga 24 korriku 2017 deri më 11 gusht 2017”, është thënë për KTV’në në një përgjigje të Zyrës për media.

Pushimi kishte nisur me t’u miratuar Rregullorja e Procedurës dhe Provave, çka e kishte funksionalizuar Gjykatën.

Ky kishte qenë hapi i fundit që do t’i hapte rrugë Gjykatës që të nisë të pranojë aktakuzat e para nga Prokuroria.Por, ata nuk kanë dashur të flasin për këtë.

Në lidhje me aktakuzat, Dhomat e Specializuara të Kosovës do të japin informacion publik në lidhje me parashtrime kur të jetë e përshtatshme. Ndërkohë, për çfarëdo gjëje në lidhje me hetime apo aktakuza, ju lutemi kontaktoni Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

KohaVisioni ka pyetur për këtë edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar por edhe pas 3 ditësh ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Që ky institucion i drejtësisë të funksionojë, ishte vendosur nga deputetët e legjislaturës së kaluar, pas kërkesave ndërkombëtare.

Ish-kryeprokurori që kishte udhëhequr hetimet në fillim, Clint Williamson, kishte paralajmëruar se hetimet do të rezultojnë me aktakuza për disa nga ish-udhëheqësit më të lartë të UÇK-së.