Pas mospjesëmarrjes në takimin e ekipit negociator, flet Thaçi

E publikuar: 14/01/2019 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit Hashim Thaçi sot nuk ka mundur të marrë pjesë në takimin koordinues të ekipit negociator, për shkak që nuk gjendet në Kosovë. Por pas përfundimit të takimit ai përmes një postimi në “Facebook”, ka mirëpritur përpjekjet e Veselit së bashku me grupet parlamentare për unitetin politik, transmeton “Zëri.info”.

“Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik. Pavarësisht shkaqeve të mundshme, ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i tij:

E mirëpres dhe mbështes takimin e sotëm koordinues për dialog, si një veprim i domosdoshëm për bashkërendimin e hapave në fazën finale të dialogut. Kosova me vështirësi po e ndërton unitetin e domosdoshëm në çështjet e interesit shtetëror. Mirëpo, nëse do të jemi të bashkuar, ne do ta përmbyllim me sukses edhe këtë kapitull të shtetndërtimit. Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik. Pavarësisht shkaqeve të mundshme, ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë. Prandaj, askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut, i cili pritet të përfundojë me një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse, që Kosovës do ia sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE. HTH .