Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, mblidhet LDK-ja

E publikuar: 28/10/2018 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë nesër Kryesinë e partisë.

Nuk bëhet me dije çështja e cila do të diskutohet, por dihet se takimi është thirrur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të vendoset edhe për kërkesën e iniciuar nga LDK-ja për angazhimet e Thaçit rreth dialogut.

“Ju njoftojmë se nesër (e hënë), më datë 29 tetor 2018, në orën 14:00, mbahet mbledhja e kryesisë së LDK-së, të cilën e kryeson, kryetari Isa Mustafa”, thuhet në njoftimin e LDK-së, për mbledhjen e cila do të mbahet në njërin prej hoteleve në qendër të kryeqytetit.

Ndërkohë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me shefat e Grupeve Parlamentare do të mbahet të hënën, më 29 tetor në orën 11:00.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga Kuvendi, në rend dite do të jetë miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme të Kryesisë së Kuvendit, e pas kësaj, kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kujtojmë se sot gjatë ditës kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një video-incizimi ka thënë se skenës politike i duhet unitet, e dialogu ka thënë se është në një status quo.