Pas konfliktit që pati me Presidentin Thaçi, Baton Haxhiu shfaqet me një kolumne për Gjykatën Speciale

11.10.2017 00:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Pas konfliktit që pati me Presidentin Thaçi, Baton Haxhiu shfaqet me një kolumne për Gjykatën Speciale

Këtë të hënë, tre vjet më vonë, pata një debat me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për të konkluduar disa pika që e arsyetonin qëndrimin tim.

Përmenda në konferencë se janë katër dështime që mund ta arsyetojnë qëndrimin tim.

Dështimi i parë është moral, i dyti është politik, i treti është juridik (i drejtësisë), kurse i katërti është historik.

Pse i thash të gjitha këto dhe pse u duk si përplasje me Presidentin diskutimi im për Gjykatën Speciale?

Burime të sigurta sugjerojnë se në vjeshtën e vitit që vjen Gjykata Speciale do t’i vë në bankën e të akuzuarve edhe eksponentët kryesorë të ish–UÇK-së. Ndër të akuzuarit përmenden edhe dy figurat kryesore të vendit, të cilët njëkohësisht udhëheqin parti të madha.

Nëse do të ndodhë kjo, Kosova rrezikon t’i hyjë një dramë të re, ku ekceset ndëretnike, ksenofobia ndaj ndërkombëtarëve, izolimi dhe trazirat mund të bëhen përditshmëri. Situata do të mbetej në duar të dy grupeve tjera politike që presin të ndodhin arrestimet, ndërsa fuqia politike e partive tjera do të mbetej e margjinalizuar.

Çka do të ndodhë, cilat mund të jenë pasojat dhe si të menaxhohet situata?

Perceptimet dhe reagimet për Gjykatën Speciale

Para votimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, në media mbizotëronte vullneti për t’i gjykuar elitat politike. Kjo vinte nga shpresa e tyre se Gjykata Speciale do t’ua bënte spastrimin e pushtetit nga grupet e korruptuara. Pas pranimit fillestar të Gjykatës Speciale duket se shumica absolute e qytetarëve e kanë ndryshuar qasjen dhe beson se bëhet fjalë për një lajthitje të rëndë.

Caku i kësaj Gjykate nuk qenkan të supozuarit si të korruptuar, por lufta, liria dhe shteti i tyre – ky është paragjykimi i shumicave brenda të gjithë taborëve.

Sot, pas hetimeve, akuzave dhe dënimeve të një numri aq të madh të ish-komandantëve të UÇK-së, njerëzit duken të bindur se po ndodh një padrejtësi e madhe dhe e pariparueshme në kurriz të kosovarëve. Paralelizmat e mbushur me mllef: “Kjo i bie sikur pas kapitullimit të nazistëve, amerikanët ta arrestonin Charles de Gaulle-in gjersa ai ecte në paradë krahas Churchill-it në Parisin e porsaçliruar se paska mbrojtur vendin e vet”, ose: “Është e njëjtë sikur në Nürnberg të mos ndodhte akuzimi i nazistëve, por në vend të tyre t’i ulnin hebrenjtë, të cilët ndoshta ka mundësi të kenë vrarë gjermanë apo edhe të vetët gjatë mbrojtjes apo për shpëtimin e tyre” – janë më tipiket për ta përshkruar nivelin dhe intensitetin e frustrimit në masat qytetare. Ndjenja e trajtimit me padrejtësi dhe imazhet ende të gjalla me oborret dhe fushat e mbushura përplot kufoma njerëzish të afërt dhe ahur lopësh, qensh, kuajsh, përbën kombinimin më fatkeq të mundshëm që aq lehtë eksplodon në urrejtje dhe veprime të pakontrollueshme që mund të prishin gjithçka të ndërtuar me zor deri sot.

Ndërkohë, askush nuk dëgjon më “racionalët” dhe “pragmatikët” që përpiqen t’i bindin masat se Gjykata Speciale nuk do padisë UÇK-në, por njerëzit e saj që eventualisht kanë kryer krime, ngase tashmë u akuzua, ose do të akuzohet, e gjitha struktura e asaj ushtrie që konsiderohet si shkaktare e lirisë së tyre. Përkundrazi, thirrësit për përmbajtje tashmë vulosen si pjesë e komplotit ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës.

1. Pas arrestimit potencial të liderëve të PDK-së, kush do t’i zëvendësojë ata për t’i mbajtur nën kontroll anëtarët e partisë më të madhe në vend; mijëra veteranët qysh tash të acaruar që kërkojnë anulimin e Gjykatës Speciale; shoqatat e ndryshme të luftës që veprojnë si filiale autonome dhe në çdo çast mund të shkaktojnë trazira po të mos ishin në kontrollin e dyshes që garantojnë qetësinë? Dihet botërisht se shumicën e segmenteve që mund ta destabilizonin Kosovën në favor të ideve utopike, apo politiko-religjioze – i ndalin këto figura.

Kjo natyrisht nuk është e shëndoshë për një demokraci, por në këto kushte tranzicioni ata në një mënyrë janë edhe garancia e vetë pakicës serbe, e cila jep vazhdimisht mjaft material për t’u sulmuar nga grupet dhe masat ende të padala nga post-trauma e luftës. Rrëfimet e ish ushtarëve serbë t’i kenë djegur kufomat me acid dhe t’i kenë përdorur për asfaltimin e rrugëve, i ndihmojnë përdhosjet eventuale. Në rast të heqjes nga skena të të gjithë liderëve partiakë dhe liderëve politikë në fjalë, e gjithë skena do të çorientohet, fragmentarizohet në falanga të pakontrollueshme, të cilat para greminës mund ta marrin shoqërinë me vete.

2. Serbët dhe tjerët do të jenë më të rrezikuarit po mbetën PDK dhe shoqatat e luftës pa krye. Jo ndoshta ata të Mitrovicës, por civilët serbë të Graçanicës, Shtërpcës, Gorazhdecit, Gjilanit, do të duhet mbrojtur me infrastrukturën më të madhe policore.

Do të mjaftonte një vrasje e vetëm një qytetari kosovar të përkatësisë serbe që Serbia, nëpërmjet Rusisë dhe Kinës, ta ritematizonte “Krizën në Kosovë” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe shteti i Kosovës të vihej serish në tavolina tregtimi. Dhe kjo do të shkaktonte një konflikt zinxhiror në gjithë rajonin, duke shkaktuar konflikte edhe në shtetet përreth.

3. Delegjitimimi i luftës kosovare është kolaps edhe për NATO-n dhe tjerët. Kjo situatë do të bënte sërish relevante pyetjen: nëse e gjitha struktura komanduese e UÇK-së paska qenë kriminale, atëherë ajo paska shkaktuar luftën dhe mbrojtjen e arsyeshme të shtetit serb prej tyre, ndërsa NATO, SHBA dhe aleatët perëndimorë janë bashkëfajtorë dhe duhet t’i paguajnë dëmshpërblime Serbisë, së paku duke ia kthyer Kosovën. Është ky synimi final?

Unë nuk e besoj, por masat kosovare do të jenë të bindura me këtë version tejet të rrezikshëm, ngase disponimi dhe gatishmëria e shqiptarëve janë të tilla që edhe deri në të fundit mos bien më në duar të serbëve.

4. Në këtë kushte as që mund të flitet për dialog. Kush do ta bëjë atë? Edhe nëse shtetet e Kuintit me autoritetin e madh që kanë ia dalin ta ruajnë qetësinë, qoftë edhe me angazhimin e trupave të KFOR-it në skenë do të mbeten LVV si partia më e madhe, AAK dhe LDK.

E para e ka qëndrimin se dëshiron “Dialog me parime”, të cilat e bëjnë të refuzueshëm nga pala tjetër. E dyta ka akumuluar një mllef aq të madh ndaj padrejtësive u janë bërë liderit të tyre saqë do të jetë më tepër në anën e të revoltuarve se sa në atë të qetësuesve.

LDK gjatë qeverisjes së kaluar me PDK-në harxhoi edhe kapitalin e fundit që ua la Rugova. Gjatë punës së Gjykatës Speciale do të jetë pothuaj e pamundur që të vazhdojë dialogu në këtë format, edhe pse të rëndë megjithatë progresiv, siç ndodh tani.

5. Pasojat e kësaj krize do të shkaktonin valë të reja refugjatësh. Jo vetëm serbe. Konflikti ndërmjet “ish titistëve”, “ish enveristëve”, “pro-islamistëve” dhe “islamofobëve” do të shpërthente në mënyrën më të vrazhdë të tij, ngase fatkeqësisht askush këtyre viteve nuk u mor me këto sfera dhe trauma që kanë mbetur të izoluara dhe mezi presin të bëhen fitilat e përçarjeve, kërcënimeve të mëdha dhe ikjeve masive.

Kosova do të përplaset në një krizë të thellë dhe rinisja nga pika zero të ishte më se e vështirë. Është në natyrën e historisë së rajonit që Kosova vazhdon të mbetet epiqendra e hapësirës kulturore shqiptare.

Në rast të krizës në Kosovë askush nuk mund të garantojë se Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Diaspora, ku jetojnë shqiptarët do të munden të mbahen stabile. Se edhe në vendin me më pak shqiptarë mund të shkaktohen kriza rajonale kallëzoi rasti i Malit të Zi ku mjaftoi zëri i një deputetit shqiptar ta përbënte shumicën që vendi mos binte nën ndikimin rus (50+1).

Rajoni do të kthehej në pozitën para se Millosheviqi t’i niste etnocidet dhe luftën që çoi në shkatërrimin e ish Jugosllavisë.

6. Nuk dihet nëse ekzistojnë masat në rast të shfaqjes së skenarëve të tillë dhe nëse do të merret dikush me parandalimin e tyre.

Sipas indikatorëve që mund të identifikohen në biseda dhe kontakte me vendimmarrës, nuk shihet ndonjë qasje serioze ndaj kësaj krize të mundshme që do të shkaktohej pas arrestimit të ish-liderëve te UÇK-së. Do të jetë problem i madh menaxhimi i paqes dhe vazhdimit të funksionimit të institucioneve të shtetit pa pasojat e shpërmendura.

7. Si të shpëtohet Kosova nëse vjen deri tek ky skenar i mundshëm?

Nevojitet angazhimi tejet serioz, sidomos i amerikanëve, BE-së, britanikëve dhe qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

1. Gjykata Speciale nuk duhet ta bëjë gabimin fatal duke i paraburgosur Liderët e UÇK-së. Ajo duhet ta ndryshojë praktikën e deritashme (në krahasim me Hagën), duke i lënë të mbrohen në liri dhe duke u marrë në pyetje në formë intervistash e seancash gjyqësore.
2. Përfaqësuesit e SHBA-ve, BE-së dhe Britanisë së Madhe në Kosovë duhet të ndërtojnë autoritet aktiv në këtë proces.
3. Ndërkombëtarët duhet të ecin drejt krijimit të një “fronti” kompakt me partitë PDK-AAK-NISMA, dhe eventualisht LDK-në, për të mundësuar një stabilitet nëpërmjet faktit se Kosovën megjithatë e udhëheqin “njerëzit e luftës”.
4. Përfaqësuesit e Kuintit duhet të bëjnë çmos që t’i ndërlidhin serbët lokalë me proceset që mos bëjnë gabime duke i nxjerrë masat jashtë kontrollit.
5. NATO, BE, SHBA duhet të bëjnë lëvizje konkrete duke garantuar sovranitetin e Kosovës.
6.Gjithë faktorët relevantë duhet të krijojnë një bashkëpunim konstruktiv me mediat.
7. Institucionet e sigurisë – vendore dhe ndërkombëtare – duhet të bëjnë çmos që të mbajnë nën kontroll grupet radikale të cilat mezi presin rastin e destabilizimit.

Nëse kjo nuk arrihet para se të nisin arrestimet, duhet të rishqyrtohet e gjithë historia e konceptimin të Gjykatës Speciale, ose të ribëhet ligji.

(Titulli i autorit: Gjykata Speciale dhe pasojat eventuale)

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!


Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2017

Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2017

Ballkani nuk u bë dot Zvicër

Ballkani nuk u bë dot Zvicër

Koalicioni i djathtë në Austri rrezik për Evropën

Koalicioni i djathtë në Austri rrezik për Evropën

Fajtorë për dhunën ndaj gazetarëve nuk janë kriminelët, por janë pushteti dhe qytetarët e heshtur

Fajtorë për dhunën ndaj gazetarëve nuk janë kriminelët, por janë pushteti dhe qytetarët e heshtur

Votë gruaje

Votë gruaje

Kriza e Koresë së Veriut, kërcënimi ndaj rendit dhe sigurisë globale

Kriza e Koresë së Veriut, kërcënimi ndaj rendit dhe sigurisë globale

Po fillon golemizimi i Jugut

Po fillon golemizimi i Jugut

E panjohura e errët e zgjedhjeve gjermane

E panjohura e errët e zgjedhjeve gjermane

Pse Kosova nuk aplikoi në UNESCO?

Pse Kosova nuk aplikoi në UNESCO?

Strategjia e frikshme e Trumpit mbi Korenë e Veriut

Strategjia e frikshme e Trumpit mbi Korenë e Veriut

Vota për LDK-në, votë për Gjilanin kryeqendër të zhvillimit kulturor dhe socio-ekonomik

Vota për LDK-në, votë për Gjilanin kryeqendër të zhvillimit kulturor dhe socio-ekonomik

Mos e mbillni Shqipërinë  me minoritete!

Mos e mbillni Shqipërinë me minoritete!

Nuk do të ketë liberalizim

Nuk do të ketë liberalizim

Shkruan Arben Idrizi: Për Paradën e Krenarisë dhe dinjitetin

Shkruan Arben Idrizi: Për Paradën e Krenarisë dhe dinjitetin

Ja pse duhet të votohet Luta

Ja pse duhet të votohet Luta