Pas deklaratave të Hahn, sqarohet afati për publikimin e raportit të vizave

E publikuar: 09/07/2018 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioneri Johannes Hahn ka deklaruar sot në Londër ku po mbahen takime në kuadër të Procesit të Berlinit se raporti i Komisionit Europian për vizat do të publikohet para pushimeve të verës. Express merr vesh se raporti i KE’së për vizat mund të publikohet në mesin e javës së ardhshme.
Hahn, me këtë deklaratë ka sqaruar afatin kur Komisioni Europian do të tregojë nëse Kosova ka përmbushur kushtet që të marrë rekomandim pozitiv nga Bashkimi Europian për lëvizjen e lirë.

Hahn ka thënë se Brukseli do ta mbajë premtimin dhe do ta marrë vendimin para pushimeve të verës.

“Do ta mbajmë premtimin dhe do të marrim vendim para pushimeve të verës”, ka thënë Hahn.Komisionieri për Zgjerim po merr pjesë në Samitin BE-Ballkan Perëndimor që ka nisur sot në Londër i njohur si Procesi Berlinit.

Një burim i Gazetës Express duke e komentuar këtë afat, ka thënë se formulimi që raporti do të publikohet “para pushimeve verore” nënkupton muajin korrik pasi institucionet europiane si kohë pushimi e kanë muajin gusht.

Ky burim madje ka thënë se “mesi i javës së ardhshme mund të jetë periudha kur do të publikohet raporti i KE’së për vizat”.

Kosova është duke pritur që nga marsi, atëherë kur ratifikoi demarkacionin me Malin e Zi, vlerësimin e KE’së për vizat. Brukseli ka dërguar në maj një ekip për të parë nëse Kosova ka përmbushur kriterin e fundit –luftimin e korrupsionit. Por, sic dihet KE këtë dokument nuk ka mundur ta publikojë pa e matur pulsin edhe të shteteve anëtare për të parë nëse edhe ata pajtohen me atë që do të thotë Komisioni.

Vlerësimi zakonisht publikohet nga Komisioni për Migrim dhe Çështje të Brendshme që aktualisht drejtohet nga Dimitris Avramopoulos.