Pas 27 vjetësh, rivarroset në vendlindje kosovari i cili ishte i zhdukur

E publikuar: 12/09/2019 17:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në fshatin Gurbardh të Komunës së Malishevës, është bërë rivarrimi i Rifat Berishës, i cili ishte zhdukur 27 vite më parë në Bosnje Hercegovinë, gjatë luftës në atë vend, transmeton Klan Kosova.

Pas kërkimeve të vazhdueshme të familjes për 27 vite më radhë, janë gjetur eshtrat e tij dhe janë kthyer dje në vendlindje, ndërsa sot, është bërë rivarrimi i tij.

Në ceremoninë e rivarrimit, krahas familjarëve, miqve dhe afërmve të tjerë, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, Prenk Gjetaj, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, si dhe përfaqësues të subjekteve politike në Malishevë.

Në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se shqiptarët janë përballur me gjëra të tilla me shekuj.

“Shqiptarët, me shekuj i ka përcjellë ky fat, që të zhduken në luftëra të ndryshme, ku shumë prej tyre, nuk janë gjetur asnjëherë, por Rifatin e ka thirr toka e vet dhe falë këmbëngulësisë së familjes, është gjetur dhe u kthye që eshtrat e tij të prehen në tokën ku ka lindur”, ka thënë Begaj.

Sipas Komunës së Malishevës, nga lufta e fundit vazhdojnë të jenë edhe 38 persona të zhdukur.