Pas 22 rasteve të reja me COVID-19 në Vushtrri, reagon kryetari Tahiri

E publikuar: 14/06/2020 23:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri është shprehur i shqetësuar për rastet e reja të konfirmuara me covid-19.

“Kam kërkuar nga MPB rritjen e numrit të policëve në Stacionin e Policisë në Vushtrri për të rritur mbikëqyrjen e personave në vetizolim. Kemi kërkuar nga MSH po ashtu rritjen e personelit shëndetësor në QKMF dhe nga drejtoritë tjera kam dërguar personel shtesë në inspektoratin sanitar”, ka njoftuar Tahiri, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook.

Postimi i plotë i Tahirit:

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë

Sonte u konfirmuan edhe 22 raste të reja me Covid 19 në qytetin tonë. Të gjitha janë raste kontakti. Aktualisht kemi 154 raste aktive, 40 të shëruar dhe 2 qytetarë të vdekur. Një numër i madh i qytetarëve e kanë kaluar kohën e shërimit dhe po presim ritestimin për konfirmim të shërimit te tyre.

Më shqetëson tepër shumë numri i madh i infektimeve brenda të njejtës familje. Kjo dukuri e ka rritur shumë numrin e rasteve. Ju lutemi KUJDES ruani familjet tuaja.

Kam kërkuar nga MPB rritjen e numrit të policëve në Stacionin e Policisë në Vushtrri për të rritur mbikqyrjen e personave në vetizolim. Kemi kërkuar nga MSH po ashtu rritjen e personelit shëndetësor në QKMF dhe nga drejtoritë tjera kam derguar personel shtesë në inspektoratin sanitar.

Toleranca është 0 për bizneset që nuk respektojnë masat. Për fat të mirë, pak qytetarë kemi pasur të infektuar në bizneset e Vushtrrisë. Numri më i madh i infektimeve po ndodhë brenda familjeve për shkak të vizitave familjare. Tashmë është konfirmuar që ndejat në fund të Ramazanit dhe vizitat për Bajram e kanë rritur numrin e rasteve.

Numri po vazhdon me u rritë sepse po vazhdojnë vizitat.

Prandaj duhet të ndërgjegjsohemi, nuk është koha për ndeja familjare, mos i beso akujt mos ja jep virusin familjarëve mos shko askund e mos prano askend në vizitë.

Me mbajtë maskë nuk është marre, me pas virusin po ashtu nuk është marre, me përhap virusin rrezikon jetën e tjetrit.

Ju lutem, të gjithë bashkë mundemi me fitu këtë betejë”, ka shkruar Tahiri.