Pas 17 vitesh, Jack Wilshire largohet nga Arsenali

E publikuar: 20/06/2018 04:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jack Wilshire ka njoftuar se këtë verë do të largohet nga Arsenali duke i dhënë fund karrierës 17-vjeçare te klubi londinez.

Trajneri Unai Emery ia ka bërë të qartë mesfushorit se nuk e ka të garantuar pozitën e tij në skuadër, prandaj 26-vjeçari ka bërë një deklarim publik përmes rrjeteve sociale duke e konfirmuar largimin porsa t’i përfundojë kontrata në fund të këtij muaji.

“Konfirmoj se do të largohem nga Arsenali kur të më skadojë kontrata në fund të qershorit. Pas bisedave të stërzgjatura me përfaqësuesit e klubit dhe në veçanti pas takimit me trajnerin e ri Unai Emery, mendoj se nuk pata shumë për të zgjedhur, pos të marr këtë vendim për arsye të pastra futbollistike”.

“Siç edhe është raportuar, unë dhe përfaqësuesi im kemi qenë në bisedime me klubin qe disa muaj për të nënshkruar kontratë të re dhe për ta vazhduar qëndrimin tim në Emirates”.

“Qëllimi im gjatë gjithë këtyre bisedimeve ka qenë të mbetem lojtar i Arsenalit. Kam qenë pjesë e Arsenalit qe 17 vite dhe gjithmonë jam ndier pjesë e fabrikës së klubit. Aq shumë e dëshiroja qëndrimin, saqë u pajtova ta nënshkruaj kontratën duke pranuar ulje page”.

“Mirëpo, pas takimit me trajnerin e ri, mu bë e ditur se edhe pse qëndronte oferta me ulje page, mu qartësua se minutazhi im i lojës do të zvogëlohej shumë nëse vendosja të qëndroja”.

“Duke e marrë parasysh këtë, mendoj se nuk kam zgjidhje tjetër, pos të ndjek mundësi të tjera për ta zhvilluar karrierën time në fushë”, shkruan mes tjerash në postimin e Wilshire në rrjetet sociale.

Mesfushori kaloi te Arsenali në vitin 2001 (nga Luton Town) si nëntëvjeçar dhe ishte pjese e Akademisë deri në vitin 2008 dhe pastaj u bë pjesë e ekipit të parë. Në dy raste ka qenë i huazuar, te Bolton Wanderers (2010) dhe te Bournemouth (2016). /Telegrafi/