Partizani-Skënderbeu, dhuna nuk doli nga stadiumi, tifozët ikin qetësisht (FOTO)

E publikuar: 30/10/2016 23:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qindra forca policie, përfshirë repartin FNSH kanë ndërhyrë për të qetësuar tifozerinë brenda në stadium dhe për të marrë masa që incidentet të mos vazhdonin edhe jashtë tij.

Në mënyrë të kontrolluar policia ka shoqëruar deri në dalje të qytetit tifozat e Skënderbeut dhe rreth 30 minuta më pas është lejuar të dalin tifozeria e Partizanit.

Ndërkohë që ende pritet të zbardhet ajo që ndodhi rreth minutës së 80 të ndeshjes në stadiumin “Elbasan Arena”, ekipi i Partizanit ka nxituar të akuzojë policinë për tejkalim të kompetencave. Ndërsa ekipi i Skënderbeut shprehet se një situatë e tillë nuk duhet të kishte ndodhur dhe njëherë e mirë duhet të marrë fund dhuna në shkallët e stadiumeve Shqiptare.

“Me atë që pashë me sytë e mi, policia e ka menaxhuar shumë keq këtë situatë. Nuk e di nga çfarë ka ardhur. Por çfarë do që të ketë ndodhur nuk besoj se është e pranueshme të gjuash tifozët në atë mënyrë. Nuk e mora vesh se çfarë ndodhi në të vërtetë. Shihja tifozë që largoheshin nga policia. Njerëz që koshin frikë të rrinin në stadium ishte hera e parë që e shikoja”, shprehet Idriz Batha, mesfushori i Partizanit.

“Ua thashë edhe lojtarëve të Partizanit, pasi në një faull të kontestuar nuk mund të shkojnë të 10 lojtarët të kundërshtojnë direkt te arbitri. Edhe tifozi pastaj normalisht kur shikon lojtarët e ekipit tek arbitri krijohet ajo situatë. U thashë se duke e parë lojtarët e Partizanit këtë situatë më të qetë, edhe tifozët po ashtu e shohin”, u shpreh mbrojtësi i Skënderbeut, Tefik Osmani.

Edhe më i ashpër është treguar deputeti i PS, Erion Braçe, i cili me akuzat e tij ka sulmuar direkt FSHF.

“Pyesni Armando Dukën. Ai luan futboll, ai bën arbitrin, ai i bën të gjitha. Tifozin nuk e bën, se nuk ka takat të bëjë edhe tifozin”, u shpreh Braçe.
Pas largimit të tifozerive dhe ekipeve, largimit të dhjetëra ambulancave dhe furgonave të policisë qyteti i Elbasanit ju rikthye normalitetit rreth 1 orë pas ndeshjes.