Partitë shqiptare zyrtarizojnë koalicionet

E publikuar: 18/10/2017 16:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë bërë publike sot detajet e marrëveshjes për të mbështetur kandidatët e njëra-tjetrës në raundin e dytë zgjedhor më 29 tetor, kur dhe do të bëhet e ditur se kush do të drejtojë komuna me shumicë shqiptare, siç janë dy komunat e Shkupit, Saraji dhe Çairi dhe komunat e tjera si Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Likova e të tjera.

Shefat e shtabeve zgjedhore nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thanë se koalicioni ka për qëllim që të fuqizojë votën e shqiptarëve, duke qenë se shqiptarët janë ata që do të përcaktojnë se kush do të drejtojë komunat.

Për pesëmbëdhjetë vite me radhë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka pushtet absolut, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, në të gjitha komunat me shumicë shqiptare përpos asaj në Strugë, dhe konsideroj se përgjegjësia kryesore për këtë keqmenaxhim, për këtë stagnim zhvillimor i takon BDI-së dhe s`ka sesi ne mos jemi opozitë e këtij keqmenaxhimi të pushtetit nga BDI”, ka thënë Elmi Aziri, shef i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët.

Përderisa Afrim Gashi nga Lëvizja Besa ka thënë se zgjedhjet e së dielës më 29 tetor do të paraqesin një test për një koalicion me Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa edhe në zgjedhjet ardhshme parlamentare.

Shpresoj që kjo frymë që tash po ndërtohet të jetë frytdhënëse dhe në të ardhmen të jetë një koalicion për të ardhmen. Është një test për ne dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të sjellë ndryshime”, ka thënë Gashi.

Në bazë të rezultati zgjedhor në raundin e parë zgjedhor, Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili në ishte në koalicion me Lidhjen Social Demokrate prin në shumicën e komunave me shumicë shqiptare, megjithëse nëse mblidhen votat që ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, bashkërisht këto dy parti dalin para BDI-së .

Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila në balotazh do të përballet me Lëvizjen Besa në 7 komuna dhe me Aleancën për Shqiptarët në 5 komuna tjera, pas publikimit të këtij koalicioni, kanë theksuar se ata do të vazhdojnë koalicionin e tyre me socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev.

Arbër Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së, për Radion Evropa e Lirë thotë se kandidatët e partisë në shumicën e komunave që janë në balotazh kanë dalë të parët, duke shprehur bindjen se qytetarët këtë vullnet do ta shprehin edhe në raundin e dytë zgjedhor.

Me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë kemi një marrëveshje paraprake për mbështetje reciproke që para raundit të parë dhe besojmë se ajo marrëveshje do të reflektojë edhe në raundin e dytë sepse besojmë se ajo marrëveshje është në të mirë dhe interes të qytetarëve”.

Ne thellësisht besojmë se qytetarët do të dinë të vlerësojnë programin me të cilin garon çdo kandidatë në komuna të caktuara, si kredibilitetin profesional dhe atë personal të kandidatëve tanë”, nënvizon Arbër Ademi.

Në raundin e parë të zgjedhjeve vendore, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në dy komuna, atë të Kërçovës në të cilën mori mbështethe dhe nga partitë e tjera shqiptare, për të mos e rrezikuar drejtimin e komunës nga shqiptarët, ndërkohë që ka fituar dhe komunën e Plasnicës.