Partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në tryezën e PSD-së, temë kryesore dialogu me Serbinë

E publikuar: 17/06/2018 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas LDK-së, PDK-së dhe Vetëvendosjes, tryezën e radhës politike do ta organizojë Partia Social Demokrate. Kjo do të mbahet të hënën me fillim nga ora 11:00, ku si temë kryesore do të jetë roli i Kuvendit në dialogun me Serbinë.
Një ditë para mbajtjes së kësaj tryeze, shumica e partive e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Edhe pse opozita ka pasur kritika për mungesën e diskutimit për zgjedhjet.

Në këtë tryezë pjesëmarrëse do të jetë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga shefi i Grupit Parlamentar të kësa, partie, Memli Krasniqi.

“Ka disa ditë që ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë shkurt Krasniqi për lajmi.net.

Edhe partneri qeverisës i PDK-së, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me shumë gjasë do të jetë në tryezën e PSD-së.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë për lajmi.net se pavarësisht që ende nuk është vendosur përfundimisht, ata pritet të marrin pjesë në këtë tryezë.

“Po, ne ende s’kemi diskutuar, por besoj që do të marrim pjesë. AAK-ja gjithmonë ka qenë pro dialogut dhe pro këtyre tryezave. Dhe çdo herë që diskutohet për koncesusin, qoftë për Ushtrinë apo dialogun, AAK-ja do t’i përkrahë. Besoj që do të marrim pjesë”, tha Kadriaj.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrtarë të Nismës Socialdemokrate, por të njëtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në tryezën e partisë së Shpend Ahmetit do të marrë pjesë edhe Vetëvendosja. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e kësaj partie, Tinka Kurti.

Por, VV-ja po thotë se temë e pashmangshme diskutimi do të duhej të jenë edhe zgjedhjet e reja, duke akuzuar qeverinë Haradinaj për shumë dështime.

Kurti tha për lajmi.net se Vetëvendosja nuk do të hesht, ndaj sipas saj, skandaleve të qeverisë Haradinaj.

“Do të marrim pjesë në këtë tryezë të radhës sepse e konsiderojmë me rëndësi shpalosjen e qëndrimeve tona. Besojmë që duhet të diskutohet për nevojën për zgjedhje të reja sepse nuk mund të vazhdohet me qeveri të pakicës, dhe jo kjo zhvendosje te dialogu me Serbinë. Asisoj bëhet blerje e kohës për interesa të partive që janë në pushtet. Ne nuk mund t’i heshtim skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie”, tha zëdhënësja e Vetëvendosjes.

Kurse, pjesëmarrjen e LDK-së e kishte konfirmuar ditë më parë shefi i deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hoti.

Por ai nuk ishte pajtuar me temën që është përcaktuar për diskutim.

“Po sigurisht ne do të marrim pjesë, por tema që është përcaktuar për tryezë është jashtë qëllimit të organizimit të këtyre tryezave”, kishte thënë Hoti.

Edhe pse të organizuar për konsensus, këto tryeza shpesh kanë shkaktuar debate të ashpra te partitë politike, sidomos kur është folur për zgjedhjet e reja.

Pozita e opozitë kanë pasur qëndrime të ndryshme sa i përket mënyrës se si po punon qeveria. /B.B/Lajmi.net/