Partia zvicerane kundër marrëveshjes për pensionet: Kosova vend i korruptuar, udhëhiqet nga klanet

E publikuar: 05/06/2019 18:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot Këshilli Kombëtar i Zvicrës ka votuar pro marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës për pensionet, e cila ishte ndërprerë në vitin 2010.

Gjatë debatit, përveç zërave që e kanë përkrahur miratimin e një marrëveshje të tillë, ka pasur edhe nga ata të cilët e kanë kundërshtuar, duke thënë se Kosova është një vend i korruptuar që udhëhiqet nga veteranët e UÇK’së.

“Marrëveshja duhet t’i nënshtrohet një referendumi të mundshëm, në të kundërtën SVP do të votojë kundër marrëveshjes”, ka thënë Raymond Clottu duke përfaqësuar grupin e partisë së tij SVP.

Ai ndër të tjera ka thënë se Kosova është një vend i korruptuar, me struktura klanore e që udhëhiqet nga ish-luftëtarë të UÇK’së.

“Kosova vazhdon të jetë një shtet fragjil. Ish luftëtarë dhe veteran të UÇK’së, drejtojnë shtetin, shpesh ata janë në struktura klanore. Korrupsioni është i favorizuar. Sistemi i edukimit dhe ai social janë në një situatë dëshpëruese. Në një situatë të tillë, si pretendoni të keni një bashkëpunim të ngushtë? Ne kemi dyshimet serioze këtu”, ka thënë ndër të tjera ai, shkruan Blick, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë zërat shumicë kanë qenë në përkrahje të kalimit të marrëveshjes për pensionet.

Alain Berset ka thënë se kosovarët kanë kontribuar me vite për prosperitetin e Zvicrës.

“Bëhet fjalë për njerëz që kanë kontribuar për vite me radhë për Zvicrën, në këtë mënyrë kanë kontribuar për prosperitetin e Zvicrës. Marrëveshja na jep mundësin për të hequr padrejtësinë që ekziston sot”, ka thënë Berset këshilltar në Këshillin Kombëtar.

Marrëveshja për pensionet është miratuar sot me 110 vota për, 58 kundër dhe dy abstenime.

E njëjta marrëveshje do të jetë në dorën e Këshillit të Shteteve, që ditë më parë i kishin dhënë dritën e gjelbër, por që kishin kërkuar që për të njëjtën çështje të ketë edhe një referendum.

Sipas Blick, koha kur mund të futet në fuqi marrëveshja, është janari i vitit 2019./GazetaExpress/