Parlamenti i Holandës miraton marrëveshjen për vendosjen e Speciales (Video)

E publikuar: 23/10/2016 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti i Holandës ka miratuar Marrëveshjen ndërmjet Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Kosovës, për themelimin e Institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës.

Léon van Schie, zyrtar për informim pranë Dhomave të Posaçme të Parlamentit të Holandës, ka thënë për Tribuna Channel se propozimi është dërguar tek Parlamenti në qershor dhe se gjithçka është e kryer me 22 shtator sa i përket Dhomës së Përfaqësuesve.

Dhoma e Përfaqësuesve është dhoma kryesore e parlamentit në Holandë. Aty bëhet diskutimi i legjislacionit të propozuar dhe rishikimi i veprimeve të Qeverisë. Dhoma e Përfaqësuesve diskuton atë dhe, nëse miratohet nga një shumicë, e dërgon për në Senat.

“Propozimi është dërguar tek Parlamenti në qershor e ndjekur nga një procedure e shkruar. Propozimi u pranua nga Parlamenti, pa një debat dhe votim më 22 shtator. Në Dhomën e Përfaqësuesve procedura është e kryer”, është përgjigjur Léon van Schie.

Ratifikimi i plotë i kësaj marrëveshjeje është parakusht për fillimin e aktiviteteve gjyqësore në Holandë.