Paraqitet para gjykatës humoristi spanjoll, fryu hundën në flamurin e Spanjës si pjesë e një skeçi (Video)

E publikuar: 27/11/2018 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dani Mateo është paraqitur para një gjykate në Madrid të Spanjës, pasi fryu hundën në flamurin kombëtar, si pjesë e një skeçi televiziv.

Humoristi spanjoll është dërguar para drejtësisë nga policia, që e akuzuan atë për ‘fyerje të Spanjës dhe simboleve të saj’, transmeton Telegrafi.

Mirëpo, gjithçka po shihet si formë e ndalesës së lirisë së shprehjes, pasi nuk kishte të bënte me ndonjë fyerje, por vetëm improvizim komik.

“Si një qytetar i këtij shteti, jam i brengosur sepse po e vëni një kloun para gjykatësit, vetëm pse e ka kryer punën e vet. Po i jepni imazh të keq shtetit dhe flamurit”, ka thënë Mateo para gjykatës.

Mendim të njëjtë nuk patën edhe akuzuesit, të cilët e konsiderojnë flamurin si shumë të shtrenjtë, për të cilin janë dhënë jetë dhe të gjithë do e bënin të njëjtën për ta mbrojtur.

Gjatë paraqitjes televizive, humoristi kontrovers teshtiu dhe fshiu hundët në flamur, para se të kërkonte falje në mënyrë ironike për mbretin, Spanjën dhe kinezëve që e kanë prodhuar. /Telegrafi/