Parandalohet sulmi i dytë terrorist në Barcelonë

E publikuar: 18/08/2017 09:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarë spanjollë kanë thënë se e kanë parandaluar sulmin e dytë terrorist, në qytetin bregdetar, Cambrils, në jug të Barcelonës.

Ndërkohë është duke vazhduar aksioni nga policia spanjolle, pas sulmit në Las Ramblas, të pasdites së djeshme, në të cilin kanë vdekur 13 persona dhe rreth 100 të tjerë janë lënduar.

Autoritetet kanë thënë se numri i të lënduarve mund të rritet.

Policia ka dyshime se ky sulm ka qenë vetëm njëri prej disa sulmeve tjera të planifikuara.

Po ashtu policia ka njoftuar se ka arrestuar personin e tretë gjatë ditës së sotme, ndonëse nuk është bërë e ditur, nëse ai është ngasësi i furgonit.

Disa orë pas sulmit, policia ka thënë se i ka vrarë pesë “terroristët”, të cilët kanë tentuar të kryejnë një sulm të ngjashëm

Policia, ka thënë, se gjashtë civilë dhe një zyrtar policor janë lënduar në Cambrils, ndërsa është bërë e ditur se të dyshuarit kanë qenë të pajisur me ekspozivë në trupat e tyre.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Autoritetet spanjolle kanë thënë se personat nga të paktën 18 vende evropiane, kanë qenë në mesin e viktimave.

Pak kohë pas sulmit, policia ka arrestuar dy persona, njëri me nacionalitet spanjoll dhe tjetri maroken, mirëpo ka thënë se drejtuesi i furgonit është larguar dhe ende është në kërkim.

Policia ka thënë se sulmi me furgon ishte i lidhur me një shpërthim në një shtëpi në Alcanar, më herët gjatë ditës së djeshme, nga i cili një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar, derisa personat ishin duke krijuar eksplozivë.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, ka thënë se “terroristët kurrë nuk do të mund të shkatërrojnë njerëzit e bashkuar, të cilët e duan më shumë lirinë sesa barbarizmin”.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, furgonat janë përdorur në shumë sulme të ndryshme në Evropë, dukë lënë të vdekur më shumë se 100 persona, në Nicë, Berlin, Londër dhe Stokholm./rel/