Parandalohet atentati terrorist në takimin ku ishin Majko-Mediu, pranga në 3 shtete celulës iraniane

E publikuar: 04/07/2018 09:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një atentat terrorist është parandaluar këto ditë në Europë. Ky atentat kishte në shënjestër takimin e opozitës iraniane në Paris, eveniment ku morën pjesë edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko dhe deputeti Fatmir Mediu, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Mes të arrestuarve është Asadollah Assadi, kreu i inteligjencës së mullahëve në ambasadën e regjimit iranian në Vjenë dhe koordinimit të terroristëve në Gjermani.

Sipas një deklarate të përbashkët nga prokurori federal belg dhe agjensia federale e inteligjencës dhe sigurisë, një çift terrorist i lidhur me regjimin iranian të cilët ishin ngarkuar me kryerjen e një sulmi terrorist kundër Mbledhjes së Madhe të Rezistencës Iraniane në Paris më 30 qershor, janë arrestuar në Belgjikë, dhe gjyqtari nxori sot një urdhër arresti kundër tyre.

Sipas deklaratës, atyre u është gjetur rreth 500 gramë material TATP dhe një mekanizëm detonimi futur në një çantë tualeti grash. Sipas kësaj deklarate, një person i dyshuar për bashkëpunim me dy individët e sipërpërmendur është arrestuar njëkohësisht në Francë. Deklarata shton se një diplomat iranian nga ambasada e regjimit iranian në Vjenë, i cili ishte koordinuesi i terroristëve të arrestuar, është arrestuar gjithashtu në Gjermani.

Çifti që u arrestua në një Mercedes-Benz në qytetin Antwerp, Belgjikë, përbëhej nga Amir Sadouni (38) dhe Nasim Naami (34), të cilët pretendonin sikur ishin mbështetës të PMOI. Ata kishin shtetësi belge.

Amir Sadouni punonte në një kompani transporti që operon midis Hollandës dhe Belgjikës dhe udhëtonte fshehtazi për në Iran. Nasim Naami shkoi në Belgjikë nga Irani në 2009 dhe u martua me Sadouni-in.

Diplomati terrorist i arrestuar në Gjermani është Asadollah Assadi (47), i cili ka qenë kreu i stacionit të inteligjencës së regjimit iranian në ambasadën e regjimit në Vjenë që nga viti 2014. Ai u kishte dhënë urdhrin final terroristëve për të sulmuar mbledhjen e 30 qershorit. Asadollah Assadi kishte zëvendësuar një tjetër diplomat terrorist të regjimit me emrin Mostafa Roudaki. Mostafa Roudaki shkoi në Teheran nga Austria, dhe u dërgua në Shqipëri në vitin 2017 si sekretar i parë i ambasadës në mënyrë që të merrej me spiunazh dhe veprimtari terroriste kundër PMOI. Për të lehtësuar veprimtaritë e Roudaki-it, Qendra Habilian dhe Shoqata Didehban, dy degë të Ministrisë së Inteligjencës (MOIS), u bënë aktive në Shqipëri nën maskën e veprimtarive kulturore dhe të shtypit.

Personi që është arrestuar në Francë si i dyshuar për bashkëpunim me terroristët është Mehrdad Arefani (55 vjeç). E shoqja, e cila është ndarë prej tij, ka qenë e lidhur me një oficer inteligjence në Iran.

Policia belge ka hetuar pesë vende të tjera në pjesë të ndryshme të Belgjikës, por rezultatet nuk janë zbuluar ende për arsye sigurie.

Rezistenca Iraniane kishte paralajmëruar vazhdimisht më përpara për përgatitjet terroriste nga diplomatët e mullahëve dhe mercenarët e Ministrisë së Inteligjencës (MOIS) si dhe Forcat Quds në vende të ndryshme europiane përfshirë Belgjikën.

Organizatat europiane të inteligjencës, në raportet e tyre vjetore, kanë theksuar vazhdimisht se PMOI dhe Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit janë shënjestra kryesore e Ministrisë së Inteligjencës dhe Forcave terroriste Quds. Në vijim të sulmeve terroriste të regjimit në Europë, Bashkimi Europian më 29 prill, 1997, urdhëroi që mercenarët e mullahëve si dhe agjentët e tyre të inteligjencës dhe sigurisë të përjashtoheshin nga Shtetet Anëtare dhe të mos lejoheshin të hynin në asnjë nga këto vende.

Lidhur me këtë çështje, Rzistenca Iraniane bëri thirrje për mbylljen e ambasadave dhe agjensive të regjimit të mullahëve, qendra të terrorizmit dhe spiunazhit, dhe për përjashtimin e diplomatëve dhe agjentëve të inteligjencës dhe Forcave terroriste Quds nga vendet europiane, dhe theksoi nevojën për të zbuluar dhe publikuar të gjitha detajet e këtij rasti. Opinioni publik duhet të jetë plotësisht i informuar rreth komploteve terroriste të regjimit të mullahëve. Kjo është e nevojshme për të garantuar sigurinë e refugjatëve dhe disidentëve iranianë.

Deklaratë nga Rudy Giuliani mbi komplotin terrorist

Të gjithë pjesëmarrësit në tubimin “Free Iran 2018 – The Alternative” (Irani i Lirë 2018 – Alternativa) në Paris më 30 qershor, vlerësojnë dhe admirojnë punën e mirë të ligjit veçanërisht në Belgjikë dhe Francë, në arrestimin e terroristëve të cilët sipas zyrës së Prokurorit Federal Belg po planifikonin një sulm mbi mbledhjen që mbështeste lirinë nga regjimi teokratik e shtypës në Iran.

Kjo thekson ndjesinë në rritje se regjimi që është sponsori më i madh i terrorizmit në botë po dobësohet gjithnjë e më shumë nga demonstratat e mëdha të vazhdueshme në mbi 140 qytete. Po bëhet gjithashtu e qartë se Madamë Maryam Rajavi dhe NCRI janë një alternativë realiste ndaj regjimit vrasës. Asgjë nuk mund të jetë më e keqe për këta mizogjinistë sesa një lëvizje që shihet si zëvendësim i tyre, e kryesuar nga një grua heroike.