Paralajmërohet protestë masive me autobusë në Kosovë

E publikuar: 15/05/2020 15:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e Transportit Rrugor në Kosovë ka paralajmërua protesta me autobusë.

Kjo nëse nuk plotësohen tri kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me ndihmesat para fillimit të punës së transportit rrugor të udhëtarëve.

Ata kanë kërkuar subvencionimin e kompanive të transportit rrugor, mbështetur në protokollin e OBSH-së dhe siç thonë ata, ashtu siç po ndodh në të gjitha shtetet e BE-së.

Njoftimi i plotë nga kjo shoqatë:

Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve mbajti takim me datë 15 maj 2020. Në këtë takim u shqyrtua situata aktuale dhe pasojat e pandemisë Covid-19 në këtë sektor. Pas diskutimeve që u zhvilluan në prezencë të përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Këshilli Drejtues i shoqatës morri vendim për të adresuar këto kërkesa në drejtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës para se të marr vendim për rifillimin e punës sa i përket transportit rrugor të udhëtarëve, të nxjerr një Udhëzim Administrativ në kuadër të Ligjit Nr.04/L-179 për subvencionimin e kompanive të transportit rrugor të udhëtarëve në Republikën e Kosovës, duke u mbështetur në protokolin e OBSH-së, ashtu siç po ndodh në të gjitha shtetet e rajonit dhe BE-së.

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit sa më shpejt të vazhdoj rendet e udhëtimit duke eliminuar pagesat e taksës për rendet e udhëtimit.

Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, që me krijimin e kushteve dhe lehtësimin e masave për lëvizjen e lirë të qytetarëve, të lejohet edhe rifillimi i punës në sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve.

Këshilli Drejtues i Shoqatës kërkon me këmbëngulje nga Qeveria që të përmbushen kërkesat legjitime të lartëcekura, në mënyrë që të shmangen format e tjera të reagimit (protesta me autobusë) që mund të organizohen nga të gjitha qendrat e Kosovës në drejtim të Prishtinës.