Paralajmërohet dyfishimi i çmimit të rrymës

E publikuar: 01/08/2017 01:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komisionit Statutor në Sindikatën e re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka folur për problemin e fundit të shfaqur në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike në termocentralet e Kosovës.
Ai ka thënë se në fshatin Shipitullë të Komunës së Obiliqit, aty ku banorët nuk po lejojnë gërmime thëngjilli nga KEK-u nëse nuk kompensohen fer, ka shtëpi që janë ndërtuar nga zyrtarë shtetërorë në mënyrë që në të ardhmen të përfitojnë nga kompensimi.

“Unë mendoj që në atë zonë janë ndërtuar shumë shtëpi të cilave nuk u dihet adresa. Ka njerëz të politikës, të Qeverisë, që kanë ndërtuar atje dhe fshihen pas qytetarëve të ndryshëm, në mënyrë që të përfitojnë nga ky rast. Këtë e tregojnë edhe vetë fshatarët të cilët thonë se madje edhe janë dëmtuar”, ka thënë Llumnica në KTV.

Sipas tij, me rezervat e thëngjillit të cilat i posedon KEK-u momentalisht mund të kemi energji elektrike për rreth 1 muaj.

“KEK-u nuk mund të ketë më shumë se 1 muaj rezerva të thëngjillit, ndoshta edhe më herët mund të ndalet energjia elektrike. Me këtë rast, energjia elektrike e importuar mund të jetë e papërballueshme për qytetarin. Besoj se do të jetë rritje 100 për qind e çmimit”, deklaroi kryetari i Komisionit Statutor në Sindikatën e re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.

Problem tjetër, sipas tij, do të ishte edhe fakti se nuk do të mund të importohet rrymë e mjaftueshme për nevojat e qytetarëve.

Sindikata ka paralajmërua protestë. “Jemi rreth 4500 punëtorë, dhe jemi shumë të shqetësuar. Të mërkurën, më 2 gusht, në sheshin ‘Skënderbeu’. Do të protestojmë edhe kundër ngritjes së çmimit, por edhe kundër mbetjes pa rrymë”, deklaroi ai.

Ai tha se nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje këtë javë, javën e ardhshme të gjithë punëtorët e KEK-ut do të hyjnë në grevë.