Paralajmërohet betejë diplomatike serbe kundër Kosovës

E publikuar: 03/05/2018 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Betejën diplomatike për Kosovën Serbia do ta fillojë së shpejti në Këshillin e Sigurimit me qëllim që të pengojë fuqitë e mëdha të veprojnë për të ndaluar njohjet e reja për pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

Qëndrimet e Serbisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën që do të mbahet më 14 maj, do t’i paraqesë shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq. Ai, siç njofton gazeta e Beogradit “veçernje novosti”, do të përpiqet që vendet që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos e ndryshojnë këtë qëndrim.

Të gjithë ministrat serbë kanë marrë instruksione që gjatë çdo takimi me kolegët e vet nga bota, vëmendjen më të madhe t’ia kushtojnë Kosovës dhe mundësisë që ndonjëri nga vendet që i përfaqësojnë ta tërheqë njohjen e Kosovës.

Ndaj këtyre vendeve, thitë mediumi serb, po bëhen presione të fuqishme të promotorëve të pavarësisë së Kosovës që ta ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë. Kështu, presione më së shumti kanë pesë vendet e BE-së: Spanja, Rumunia, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja.