Paralajmërohen vrasje të deputetëve për demarkacionin (Foto)

E publikuar: 22/02/2017 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ky mesazh i është dërguar një deputeteje të koalicionit qeverisës.

Një deputete e koalicionit qeverisës të vendit ka marrë një kërcënim me vrasje, në prag të votimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Ky do të jetë fati i deputetëve dhe liderëve politik nëse kalon Demarkacioni!”, thuhet në mbishkrimin e një fotografie me përmbajtje të ndjeshme, që i është dërguar si kërcënim një deputeteje të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pozitës.

“Tradhtia kësaj here do ndëshkohet. Pa gjyq… në emër të popullit”, thuhet më tej në mesazhin kërcënues që ka marrë deputetja.

Kërcënimet ndaj deputetëve për mosvotimin e Demarkacionit duket të kenë nisur një ditë pasi kryetari i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës ka konstatuar se Kosova nuk ka humbur territor si pasojë e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Zëdhënësi i këtij Komisioni Tomorr Qelaj, gjatë prezantimit u është referuar dhjetëra dokumenteve, duke konstatuar se Çakorri nuk i takon Kosovës, por Malit të Zi.

Në përmbyllje të prezantimit të të gjeturave, Islami ka thënë se Kosova ka 10. 905.25 km2, nga matjet që janë bërë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës pritet që në muajin mars ta riprocedojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. /Express/