Paqartësi mbi një marrëveshje tregtare përfundimtare SHBA-Kinë

E publikuar: 06/12/2018 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas arritjes së një marrëveshjeje të përkohshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të pezulluar luftën e ndërsjelltë tregtare, analistët po shprehin parashikime mbi shanset që dy fuqitë më të mëdha ekonomike të botës të arrijnë një pakt më të gjerë dhe të përhershëm brenda 90 ditësh.

Bursat reaguan pozitivisht pas njoftimet se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të mos vendosin tarifa të reja për 90 ditët e ardhshme, ndërkohë që punojnë për të zgjidhur mospajtimet dhe për të hartuar një pakt të hollësishëm tregtar.

Presidenti Donald Trump shkruajti në një seri mesazhesh në Twitter se bisedimet për të arritur një marrëveshje tregtare “tashmë kanë filluar” dhe se nëse arrihet një “marrëveshje e drejtë”, ai do ta nënshkruante me gjithë qejf.

Sidoqoftë, deri tani nuk janë dhënë shumë hollësi përtej deklaratave zyrtare.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se Kina është zotuar të veprojë menjëherë për të hequr tarifat dhe pengesat e tjera dhe ka rënë dakord për lehtësi të tjera tregtare me vlerë prej 1 trilion dollarësh.

“Këto gjëra varen nga situata e tregut, siç mund të imagjinohet. Varet nga kërkesat e konsumatorëve, nga gjendja e vendit. Për mua është e rëndësishme që po ulen tarifat. Kjo përbën ndryshim strukturor, së bashku me ndryshimet në pengesat e tjera tregtare,” thotë Larry Kudlow i Këshillit Kombëtar Ekonomik.

Nëse Pekini vepron me shpejtësi për të përmbushur premtimet do të dëshmojë se është i angazhuar seriozisht për arritjen e një pakti tregtar.

“Xi Jinping duket se është i gatshëm për të realizuar disa akte të qarta, konkrete që mund të kënaqin administratën Trump. Por kjo nuk del qartë nga deklaratat zyrtare. Në fakt nuk ka asgjë konkrete në deklaratën zyrtare të Kinës,” thotë Bonnie Glaser e Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

Analistët flasin për potencialin që ofron Kina nëse hap tregjet, sidomos për automjete dhe shërbime financiare.

Por ka gjasa që Pekini të mos i ofrojë Uashingtonit të gjitha ato që ka kërkuar. Presidentit Trump mund t’i duhet të pranojë një kompromis, thonë vëzhguesit:

“Mendoj se ka shumë të ngjarë, pasi kur të vijmë nga mesi i vitit 2019, pritet që ekonomia amerikane të ngadalësohet. Do të jetë në interes të Uashingtonit të pranojë një formë pakti, në vend që të ndezë një luftë të re tregtare,” thotë David Dollari i Institutit “Brookings”.

Megjithëse Kina ka shkelur premtime të tjera më parë, zyrtarët amerikanë thonë se negociatat nuk kanë avancuar kurrë deri në këtë pikë dhe se palët e kuptojnë se sa shumë mund të humbasin.

“Mendoj se Presidenti Trump dhe Presidenti Xi kanë krijuar një marrëdhënie me vlerë mes tyre. Si udhëheqës të dy ekonomive më të mëdha të botës, ata i kuptojnë përgjegjësitë që kanë,” thotë Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin.

Nëse Uashingtoni dhe Pekini nuk arrijnë një marrëveshje deri më 1 mars, administrata Trump ka në plan t’i rrisë nga 10% në 25% tarifat ndaj importeve kineze.