Papa Françesku të hënën në Mianmar

E publikuar: 26/11/2017 23:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Papa Françeksu shkon të hënën në Mianmar në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e botës për krizën e refugjatëve rohingya.

Udhëheqësi i Kishës Katolikë, do të vizitojë edhe Bangladeshin të enjten.

Plani i vizitës së tij nuk parasheh vizitë në ndonjë kamp refugjatësh, por ai pritet të takohet me një grup të vogël të refugjatëve rohingya në Daka, kryeqytetin e Bangladeshit.

Më 23 nëntor Mianmari dhe Bangladeshi nënshkruan një marrëveshje lidhur me kthimin e refugjatëve rohingya që u larguan për t’i shpëtuar dhunës në shtetin Rakhine të Mianmarit.

Marrëveshja u nënshkrua nga udhëheqësja Aung Suu Kyi dhe Ministri i Jashtëm i Bangladeshit Abul Hassan Mahmud Ali.

Pavarësisht marrëveshjes, Kadinali Patrick D’Rozario, arqipeshkvi i Dakas, i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP, se situata mbetet “shpërthyese dhe e vështirë për t’u zgjidhur”.

Zëdhënësi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, tha se kushtet në Rakhinë nuk sigurojnë kthim të qëndrueshëm.

“Refugjatët ende po ikin dhe shumë prej tyre kanë përjetuar dhunë, përdhunime dhe dëmtime të rënda psikologjike”, tha të premten zëdhënësi Adrian Edwards.

Kardinali D’Rozario, që mori këtë titull ne vitin 2016 nga Papa Françesku, tha se mezi po pret vizitën e papës. Në Bangladesh janë rreth 360 mijë besimtarë katolik.

“Klithmat e rohingyave janë klithma të njerëzimit”, tha ai. Këto klithma duhet të dëgjohen dhe të trajtohen. Çështja kryesore është t’u themi njerëzve se jemi në anën tuaj”, tha ai.

Kardinali kaloi dy ditë duke vizituar kampet e refugjatëve, duke folur me familjet e detyruara që të lëshojnë shtëpitë e tyre në shtetin Rakhinë.

Mbi 600 mijë veta kanë ikur nga Mianmari në Bangladeshin fqinj, që po përballet me krizën e tij derisa po bën përpjekje për të strehuar rohingyat.