Panucci: Lojtarët e lënduar duhet ta vërtetojnë dëmtimin te mjeku i federatës

E publikuar: 12/11/2017 20:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Antalia, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, ka dalë në një konferencë për shtyp, në vigjilje të ndeshjes kundër Turqisë.

Ai foli për ditët e grumbullimit, si dhe për lojtarët e dëmtuar të cilët ishin pjesë e grupit, edhe pse pa qenë në gjendje për të luajtur.

“Këto kanë qenë ditë intensive për ekipin. Kemi punuar në të gjitha aspektet, dhe jam i kënaqur me atë që çunat kanë treguar në stërvitje, duke ditur se kjo është një periudhë e ngjeshur edhe me klubet e tyre”, ka thënë italiani, citon Panorama Sport.

(Foto: Getty Images)

“Duhet të jemi profesionistë. Lojtarët e dëmtuar duhet të sjellin një rezonancë apo një ekografi me vete”.

“Mjeku i ekipit kombëtar duhet ta vlerësojë nëse është i gatshëm për lojë apo jo. Federata në këtë rast ka vepruar në mënyrë profesionale”.

“Strakosha ishte rast i veçantë, pasi këtë të enjte iu shfaqën probleme të vjetra të dëmtimit. Ndërsa kur pyesja Latifin, më përgjigjej se ishte mirë”, ka theksuar trajneri në lidhje me lojtarët e dëmtuar.

(Foto: Getty Images)

I pyetur se pse ka grumbulluar në ekip lojtarë pa skuadër, Panucci ka thënë: “Këtu po flisni për Alijin. Para se të jemi skuadër, jemi familje, dhe duhet të mbështesim lojtarët edhe në ditët e tyre të vështira”.

“Aliji është një lojtar i nivelit evropian dhe ka qenë edhe më parë pjesë e grupit. Gjatë javës ka punuar shumë, edhe pse nuk është i gatshëm për 90 minuta lojë”.