Palmer: Amerika nuk është e gatshme që të vulosë çfarëdo marrëveshjeje

E publikuar: 13/06/2019 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer.

Duke iu referuar nismës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Palmer tha se beson që ajo është nismë në mbështetje të dialogut të Brukselit.

“Ne i kuptojmë takimet në Berlin e Paris si të dizajnuara që të mbështesin dialogun gjithëpërfshirës për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi ai.

Palmer, po ashtu tha se pret që Prishtina zyrtare të suspendojë tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia, në mënyrë që dialogu të vazhdojë sa më shpejt.

I pyetur se a ka vija të kuqe për SHBA-në kur bëhet fjalë për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Palmer tha se vendi i tij nuk është i gatshëmqë vetëm të vulosë çfarëdo marrëveshje ndërmjet dyja vendeve.

“Ajo se çfarë jemi duke thënë është se duam të shohim një marrëveshje që është e qëndrueshme, që është fer, që është e drejtë, që është e zbatueshme, një marrëveshje e cila mund të shpjegohet dhe të përqafohet nga publiku në të dyja shtetet”.

“Nëse kemi shqetësime lidhur me çështje specifike të ndonjë marrëveshjeje, ne do t’i identifikojmë ato shqetësime dhe do të punojmë me palët, që t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim. Por, siç thash, ne do të donim të kishim këtë problem sepse kjo do të thoshte që palët kanë rinisur bisedimet dhe kanë gjetur një të përbashkët. Këtë do të dëshironim ta shihnim”